Krenare Sogojeva, komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, ka thënë se kanë për qëllim të rritet vetëdija institucionale për qasjen në dokumentet publike.
Ka thënë se gjatë një diskutimi të mbajtur të hënën, një nga vështirësitë ka dalë qasja në dokumente publike.
Ajo ka thënë se komunat janë më transparente sesa institucionet e tjera, sa i përket qasjes në dokumentet zyrtare.
Sipas saj, komuna e Prishtinës ka më së shumti ankesa, e pastaj edhe ajo e Kaçanikut ndaj së cilës është shqiptuar gjobë.
“Muaj më parë është gjobitur komuna e Kaçanikut lidhur me një projekt dhe kërkesa ka qenë nga një qytetar. Politikat e agjencisë nuk janë gjobitja, por ndërgjegjësimi. Gjoba është një sanksion e cila vendoset atëherë kur nuk zbatohet vendimi detyrues. Janë realizuar rreth 108 inspektime në bizneset private, për vendosjen e kamerave . Është fat i mirë që për të gjitha bizneset që është lëshuar urdhëresa, të gjitha kanë përmbushur kriteret ligjore”, ka thënë ajo.
Sogojeva ka thënë se janë vendosur gjoba për bizneset për shkak të mbrojtjes së të dhënave në marketingun e drejtpërdrejtë.
Sipas saj, bizneset nuk kanë të drejtë të dërgojnë mesazhe, emaila apo edhe t’i thërrasin në telefon personat që nuk kanë dhënë leje për një gjë të tillë.
Ajo ka thënë se marketingu i drejtpërdrejt ka qenë shumë i zhvilluar, por tashmë ky trend ka rënë.
“unë i inkurajoj gazetarët që të bëjnë më shumë ankesa. Në total prej janarit deri në shtator janë pranuar 218 ankesa të natyrave të ndryshme por shumë më shumë janë të OJQ-ve dhe qytetarëve, shumë pak ka nga gazetarët. 10 për qind të rasteve kemi nxjerrë vendime detyruese për qasje në dokumente. Ligji për qasje në dokumente publike e ka saktësuar se në cilat raste mund të kufizohet qasja”, ka thënë ajo.
Sogojeva ka thënë se janë shqiptuar 5 gjoba sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale.
Sipas saj ka raste që institucionet kanë bërë publikimin e listave me të dhënat personale të tepërta, duke shtuar se bëhet fjalë për Agjencinë e Bujqësisë, ATK-ja dhe Komuna e Podujevës.
Ajo ka thënë se mbikëqyren vazhdimisht faqet e institucioneve në mënyrë që të shikohet nëse ka publikim të tejkaluar të informatave personale.