Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës ka refuzuar propozimin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, që të nisë mësimi e deri në marrëveshjen me Qeverinë, si presion sindikal të përdoret mosvënia e notave për nxënësit, bëhet e ditur në një njoftim për media të SBASHK-ut të premten në mbrëmje.
Sipas njoftimit, 663 institucione e kanë kundërshtuar idenë, ndërsa 39 janë deklaruar pro. 34 s’janë deklaruar.
“Kjo ide është prezantuar në takimin e sotëm të SBASHK-ut me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve, në të cilin ishin të pranishëm edhe deputetët Ardian Gola, Albena Reshitaj, Enis Kervan, Vlora Dushi dhe Eliza Hoxha. Kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve janë deklaruar se kanë zhvilluar komunikim me kryetarët e shoqatave sindikale dhe ata e kanë adresuar të anëtarësia idenë e deputetit Gola. Nga raportimet e prezantuara është parë se 39 shoqata sindikale, apo institucione arsimore kanë përkrahur idenë e deputetit Gola, 34 nuk janë deklaruar, por janë 663 shoqata sindikale apo institucione që nuk e kanë pranuar këtë ide. Në këto rezultate nuk është përfshirë një komunë, kryetari i së cilës ka deklaruar me shkrim se gjithë grevistët atje nuk e kanë përkrahur idenë e deputetit Gola, por në mungesë në takim të kryetarit sindikal nga kjo komunë kjo nuk është përfshirë në rezultatet e përgjithshme”, thuhet në njoftim.
Më 25 gusht sektori publik, përfshirë arsimin, ka hyrë në grevë me kërkesën për shtesë mbi pagë prej 100 eurosh deri në miratimin dhe hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave. Sindikatat nuk e kanë pranuar si zgjidhje vendimin e Qeverisë për t’ua ofruar gjysmën e kësaj shume deri në fundvit.