Arbëri

Kuvendi pa kuorum: Sesioni i ri, zakoni i vjetër

Mungesa e pjesëmarrjes në seancë dhe forume tjera të Kuvendit vazhdon ta pengojë vendimmarrjen në këtë institucion, sikurse edhe në sesionin paraprak. Seanca e nisur javën e shkuar nuk ka mundur të përmbyllej të enjten shkaku i mungesave të deputetëve, ndërkaq edhe në dy prej tri mbledhjeve të Kryesisë ka munguar kuorumi. Për ta ndërruar situatën, analistët thonë se duhet shqiptuar masa ndaj ligjvënësve të papërgjegjshëm.

Seanca e nisur të enjten e javës së shkuar ka dështuar të përfundojë këtë të premte në mungesë kuorumi. Në sallë ishin 60 nga 120 deputetët që i ka Kuvendi.

Mungesa e pjesëmarrjes në seancë dhe forume tjera të Kuvendit vazhdon ta pengojë vendimmarrjen në këtë institucion, sikurse edhe në sesionin paraprak.

Kuorumi ka munguar edhe në dy nga tri mbledhjet e Kryesisë këtë shtator.

Analisti politik Artan Muhaxhiri thotë se ka mungesë përgjegjësie nga deputetët, të cilët, sipas tij, nuk e kuptojnë rolin që kanë. Muhaxhiri thotë se ndaj tyre duhet të vihen sanksione.

“Mungesa e kuorumit është një dëshmi e mosrespektit të plotë të deputetëve ndaj votuesve, partive, por edhe ndaj sistemit politik demokratik të Kosovës në përgjithësi. Por, ky është rezultat i mënyrës se si funksionojnë partitë politike, sepse zakonisht lideri del dhe i merr votat edhe për deputetët pastaj ata deputetë më nuk e kanë ndjenjën e përgjegjësisë ndaj votës së qytetarëve dhe për këtë arsye mund të sillen në këtë mënyrë kaq të papërgjegjshme”, ka thënë ai.

Por shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Mimoza Kusari-Lila, thotë se shumica parlamentare e ka kuptuar seriozitetin e përgjegjësisë që mban, pas rezultateve të agjendës legjislative të sesionit të kaluar.

“Ne e kemi përkushtimin maksimal dhe natyrisht do të bëjmë maksimumin që çdo gjë të miratohet me kohë, natyrisht sipas agjendës legjislative. Besoj se do të kemi një vit të përmbushur me agjendën legjislative. Do të ketë situata në të cilat gjatë ditës ka kuorum për pika të caktuara, ndërsa në një moment të caktuar sikur ndodhi sot për arsye të pjesëmarrjes në një takim në numër më i madh i deputetëve të humbë kuorumi, por ajo kompensohet në javën tjetër duke mos lënë vakum të madh në miratimin e projektligjeve”, ka thënë Kusari-Lila.

Hajdar Beqa është deputet i Partisë Demokratike, subjektit kryesor në opozitë. Ai thotë se përgjegjësia për të siguruar mbarëvajtjen e seancës i takon pushtetit, i cili është shumicë në Kuvend.

“Por sa i përket përgjegjësisë në mënyrë që të sigurojë mbarëvajtjen e seancës realisht më shumë i takon edhe mazhorancës, e cila ka shumë numra, është një prej mazhorancave që ka numra më shumë sesa në të kaluarën, por kemi më shumë dështime sesa çdo mazhorancë e kaluar”, ka deklaruar Beqa.

Në kohën kur zhvillohej seanca në Kuvend ishin paraparë edhe mbledhje të komisioneve parlamentare.

Analisti Muhaxhiri e bën përgjegjëse Kryesinë e Kuvendit për keqmenaxhimin në caktimin e seancave në kohën kur edhe komisionet kanë mbledhje.

“Është e qartë që duhet të ketë një harmonizim edhe kualitet më të lartë të punës së Kuvendit sesa që është aktualisht”, ka thënë Muhaxhiri.

Sipas një raporti të Institutit Demokratik të Kosovës, për 6 muajt e parë të këtij viti 23 seanca kanë dështuar shkaku i mungesës së kuorumit. Në këtë periudhë janë regjistruar rreth 700 mungesa të deputetëve në seanca.