Arbëri

AAK-ja akuzon Vetëvendosjen se në pushtet ka ndërruar qëndrim për Ligjin e skemave pensionale

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka ndryshuar qëndrim pas ardhjes në pushtet për plotësim/ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale.

Dreshaj ka thënë të premten se Vetëvendosje e ka përkrahur nismën për plotësim/ndryshimin e këtij Ligji sa ishte në opozitë.

Debati për ndryshimin e këtij Ligji dështoi sot në Kuvend për shkak të mungesës së kuorumit.

AAK-ja kërkon që Ligji ta ndryshojë kriterin që punëtorëve u kërkohet stazhi 15-vjeçar i punës para 1 janarit 1999 për të përfituar pension. Ata e konsiderojnë këtë diskriminues.

“Ky Ligj ka bërë diskriminime të mëdha brenda punonjësve të Kosovës që kanë kontribuar në vitet si para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës. Bëhet fjalë për largimin e kriterit prej 15 vjetëve. Gjeneratat që janë në radhë për t’u pensionuar nuk e plotësojnë kriterin e 15 vjetëve punë para 1 janarit 1999. Ky debat vuri në pah se qëndrimet e partisë në pushtet ndërrojnë sipas agjendave e jo sipas programit. Kur Vetëvendosja ishte në opozitë e ka mbështet këtë ligj, mirëpo sot mungonte vullneti politik që kjo çështje të shkonte përpara për ta ndryshuar këtë ligj diskriminues”, ka thënë Dreshaj.

Ai ka paralajmëruar se ndryshimi për Ligjin për skemat pensionale pritet të vijë në Kuvend më 25 nëntor.