Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, deklaroi se nuk ka pritur që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “të bie nga provimi në menaxhimin e dialogut me Sindikatën e Arsimit”.
Ai deklaroi të enjten në Interaktiv të KTV-së, se Lëvizja Vetëvendosje gjatë opozitës ka përdorur retorikë për të drejta të barabarta e barazi sociale, ndërsa sipas Pajazitit, VV-ja po e dëshmon të kundërtën.
“Nuk u pa asnjë qasje, ide apo sinjal se kjo çështje duhet të mbyllet. Mbesim me shpresën që të përfundojë greva. PDK-ja ka propozuar një pako masash që janë të përballueshme edhe me aftësitë buxhetore që kemi. Një pako buxhetore që e lehtëson jo vetëm këtë situatë, por edhe jetën e qytetarëve, për ta përballuar këtë fazë të dimrit që po vjen”, deklaroi Pajaziti.
Ai shtoi se kryeministri Kurti po pretendon se të gjithë i janë shndërruar në armiq.
“Kjo është absurde, ne e kemi trajtuar ndryshe si koncept. Janë menaxhuar gjithmonë qëllimet tona me dialog. Por, të ndodhë një bllokadë e tillë dhe të quhen sindikatat si të manipuluara. Kurti mendon se të gjithë tani janë armiqtë e tij. E padrejtë të mbulohet me retorikë një kërkesë legjitime e arsimit. Ne nuk kemi interferuar në këtë, as nuk jemi palë që zgjidhim problemin”, shtoi Pajazitaj.
Sipas ish-deputetit të PDK-së, Qeveria po e trajton me kokëfortësi situatën e krijuar me grevën e përgjithshme.
“Kemi pritur që sot (të enjten v.j.) të ketë njëfarë përfundimi të një marrëveshjeje mes sindikatës dhe Qeverisë. Të mos ketë nevojë për seancë e as për rezolutë. Pritjet ishin të mëdha, një kohë e gjatë e mbylljes së shkollave është një dëm i madh që po iu behet shkollave. Nuk e pritem një kokëfortësi që po bëhet”, tha tutje ai.