Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka refuzuar propozimet që Avokati i Popullit ua ka bërë sindikalistëve të martën, në përpjekjen për të gjetur rrugëdalje për t’i dhënë fund grevës së nisur më 25 gusht. Në një komunikatë për media, SBASHK-u të martën në mbrëmje ka thënë se ky draft-aktpajtimi nuk është i pranueshëm “sepse nuk i përmban pikat e kërkesës së grevistëve”. Kjo sindikatë ka thënë se edhe Avokati i Popullit “ka hyrë në rrugën e shantazheve për t’i përçarë sindikatat”.
“Në takimin e mbajtur në orët e vona me kryetarët e sindikatave komunale dhe të universiteteve, që njëkohësisht janë edhe kryetarë të Këshillave greviste të nivelit komunal dhe të universiteteve u diskutua lidhur me një letër dhe një aktpajtimi, të cilën SBASHK e mori në orët e vona të pasdites nga Avokati i Popullit, duke e analizuar në detaje këtë aktmarrëveshje të propozuar dhe njëzëri ata vlerësuan se ky propozim i dërguar nga Avokati i popullit është i njëanshëm, nuk i përmban kërkesat legjitime të grevistëve, të dërguara sot pasdite nga SBASHK-u dhe dje nga BSPK-ja tek Avokati i Popullit dhe vlerësojnë se letra e tillë, e dërguar në orët e vona, me tentim që marrëveshja të bëhet, jo me Këshillin Grevist të BSPK-së, ashtu si e parasheh Ligji për grevat, por me kryetarin e BSPK-së dhe të SBASHK-ut në njërën anë dhe në anën tjetër, jo me kryeministrin që e përfaqëson Qeverinë e Kosovës, por me ministrin Murati dhe ministren Nagavci tregon që edhe Avokati i Popullit ka hyrë në rrugën e shantazheve për të përçarë sindikatat me qëllim që të grevistët të krijohet eventualisht bindja se sindikatat janë tërhequr nga kërkesat, gjë nuk është e vërtetë”, thuhet në reagim.
Sipas SBASHK-ut nuk ka pasur asnjë propozim të ri të Avokatit të Popullit, përveç atij të pakos së Qeverisë, që ishte refuzuar edhe më 3 shtator. “Prandaj greva vazhdon deri në një marrëveshje që plotëson kërkesat e anëtarësisë”, thuhet në letrën e SBASHK-ut.
Gjatë ditës, SBASHK-u publikoi një letër në të cilën tregoi tri kërkesat për t’u arritur marrëveshja. Këto tri kërkesa thotë se nuk janë përmbushur në marrëveshjen e propozuar nga Avokati i Popullit.
Kërkesa e parë ishte që pos 50 eurove, të cilat vendosi t’i ndajë Qeveria si pjesë të pakos ekonomike për të përballuar inflacionin deri në dhjetor, të ketë rritje të pagës prej 10.45 për qind sa ishte rritja ekonomike, ndërsa nga janari i vitit 2023 të ketë rritje të pagës ekonomike aq sa do të jetë rritja ekonomike e vitit 2022, plus shkalla e inflacionit. Po ashtu është kërkuar që të merren parasysh vërejtjet e SBASHK-ut në ligjin për paga dhe atë për zyrtarët publikë.
Ndërkaq në propozimin e Avokatit të Popullit pikë e parë ka qenë që Qeveria “të zotohet” se sivjet ta rishqyrtojë Pakon Emergjente në dialog me sindikatat “duke marrë parasysh dhe në shqyrtim kërkesat e Sindikatës dhe të palëve të tjera”. Aty është përmendur që të ketë “zotim të qartë” se do të vazhdohet mbështetja financiare deri në miratimin e Ligjit për Paga, duke e rivlerësuar lartësinë financiare para fillimit të vitit 2023, apo që në fillim të vitit 2023 të rritet paga në sektorin publik, në raport me inflacionin, rritjen ekonomike dhe faktorë të tjerë që përcaktojnë rritjen e pagës.
Në pikë të dytë, nga SBASHK-u është kërkuar që të ndryshojë Ligji për Skemat Pensionale, sidomos pika që kërkon të paktën 15 vjet kontribut në skemat pensionale para datës 1 janar 1999. Ndërkaq në propozimin e Avokatit të Popullit është thënë që “Qeveria zotohet se do ta propozojë plotësimndryshimin” e këtij ligji.
Kërkesë e tretë nga SBASHK-u ka qenë që sivjet të miratohet ndryshimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore ose të nisë zbatimi i atij aktual nga janari i vitit 2022. Në draftmarrëveshjen e propozuar nga Avokati i Popullit është thënë se “Qeveria zotohet se me prioritet do ta procedojë për miratim ndryshimin” e këtij ligji.
Pos mospajtimeve, rrezikohet që kontakti grevistëve dhe Qeverisë të zbehet edhe më shumë. I kontaktuar nga KOHA, kryetar i SBASHK-ut dhe kryetar i Këshillit Grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, Rrahman Jasharaj, ka thënë se më nuk do të pranojnë asnjë takim, as me kryeministrin Albin Kurti e as me Avokatin e Popullit, pa prezencën e mediave.
“Asnjë takim me ta nuk do ta pranojmë më pa prezencën e mediave ngase kemi përvojë të keqe nga takimi i fundit me Kurtin. Pas gjithë asaj bisede, e kanë parë edhe mediat edhe Kuvendi, që e ktheu në ironi e humor të keq, sarkazëm, duke e lidhur gjithë takimin me fjalën ‘vëlla’. Le të jenë mediat aty. Të shihet kush po dëshiron që ta kalojë situatën, e kush po i sheh takimet me sarkazëm”, ka thënë Jasharaj.
Shumica e zyrtarëve në sektorin publik ka hyrë në grevë që nga 25 gushti. Kërkesë e tyre ka qenë që të shtohen në paga nga 100 euro në muaj deri në miratimin dhe hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga. Ky Ligj tashmë është në diskutim publik. Po që se miratohet siç është në draft, ai hyn në fuqi pas 8 muajsh. Qeveria ditë më parë ndau nga 50 euro për të gjithë zyrtarët, si pjesë të pakos për tejkalimin e përballjes me inflacionin. Pakoja s’e mori përkrahjen e grevistëve, që po kërkojnë shtesa të tjera mbi 50 eurot.
Fjala “vëlla” bëri bujë, pasi pas një takimi që kryeministri Kurti pati me Jasharajn dhe sindikalistët, në konferencën për media shefi i Qeverisë u shpreh se iu bë kërkesë për shtesat në paga duke i thënë “na ndihmo si vëlla”. Kurti shtoi se “ka marrë fund koha kur kryeministrat bëhen vëllezër”.

