Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka shpallur të jashtëligjshëm konkursin e para dy muajve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për pranimin e 32 diplomatëve.
Pas monitorimit, në një raport të publikuar të martën, kolegji i këtij këshilli ka konstatuar se shpallja e rekrutimit për 32 zyrtarët është në kundërshtim me ligjin për Zyrtarët Publikë.
KOHA pati raportuar në gusht për dyshimet për shkelje ligjore dhe kurdisje të konkursit. MPJD-ja atë kohë nuk ofronte sqarime për pretendimet e ngritura.
Në mars të këtij viti, nga MPJD u përjashtuan 11 zyrtarë që ishin pranuar nëpërmjet një konkursi të vitit 2012. Ata janë duke vazhduar betejën ligjore në instancat e tjera, pasi Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës e shpalli veten jokompetent për të vendosur rreth rastit, me arsyen se mungojnë akt emërimet. Por diplomatët e larguar pretendojnë se dosjet e tyre është dashur që ministria t’i vërë në dispozicion të organeve ankimore.
Me parregullsi e shkelje ligjore janë përcjellë edhe konkurset e hapura nga qeveritë e kaluara. Kësisoj, në vitin 2020, kur ministria udhëhiqej nga Meliza Haradinaj, pati anuluar konkursin për 15 nëpunës në misione konsullore. Konkursi ishte anuluar pas raportimit të “KOHËS” se MPJ-së ia kishin mësyrë edhe familjarë e partiakë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Ministria e pati arsyetuar anulimin me ankesat e shumta të pranuara në MPJD nga aplikantët.