Arbëri

Shtetet që Serbia pretendon se kanë tërhequr njohjet e pavarësisë së Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kohë që thotë se Qeveria e këtij vendi ka në sirtar “tetë dokumente për çnjohje të pavarësisë së Kosovës”, por se deri më tash asnjëherë nuk ka përmendur asnjë nga këto shtete.

Dhe sipas tij, “misioni serb” po vazhdon.

“Sot ka më shumë shtete që nuk e njohin pavarësinë sesa që e njohin”, tha ditë më parë Vuçiq.

Zyrtarisht, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 117 vende anëtare të OKB-së nga 192 sa numëron.

Po cilat janë këto shtete që pretendon Serbia se kanë marrë vendim për çnjohje apo ngrirje të vendimeve për njohje.

Gazeta serbe “Danas” shkruan të martën, se bëhet fjalë për vende të vogla e të varfra afrikane dhe për disa të tilla latine, si për shembull Mbretëria e Eswantinit, pastaj Gaboni dhe Somalia. Nga Amerika Latine, pretendohet se vendimin për çnjohje e ka marrë Antigua e Barbuda.

“Vendet e tjera që tashmë zyrtarisht i kanë ‘ngrirë’ vendimet për njohjen e pavarësisë mund të jenë Egjipti, Peruja dhe Republika Domenikane”, shkruan “Danas”. “Një luftë e veçantë diplomatike po bëhet për pozitën e Kosta-Rikës, që është vendi i parë që ka njohur pavarësinë e Kosovës”.

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008.

Mbretëria e Eswantinit dhe Somalia kanë njohur pavarësinë më 2010, Gaboni më 2011, Antigua e Barbuda më 2015, Peru më 2008, Egjipti më 2013, Republika Dominikane më 2009 dhe Kosta-Rika më 2008.

Njohja e fundit që ka marrë Kosova, është ajo nga Izraeli më 2020, pas Marrëveshjes së Washingtonit.