Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Izraelit, Shimon Peres, të premten.
Sipas njoftimit të Krasniqit, në ceremoni ai është takuar edhe me presidentin aktual izraelit Isaac Herzog dhe “me personalitete të tjera të respektuara”.
“I nderuar të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore në kujtim të presidentit Peres, i cili frymëzoi botën dhe hapi rrugën drejt paqes. Ceremonia u zhvillua në prani të presidentit Isaac Herzog, ministres së Transportit dhe Sigurisë Rrugore të Izraelit, Merav Michaeli, trupit diplomatik dhe personaliteteve të tjera të respektuara”, ka njoftuar Krasniqi.
Peres shërbeu si kryeministër i Izraelit dy herë, nga viti 1984 deri më 1986 dhe nga 1995 në 1996. Ai pati rolin e presidentit nga viti 2007 deri në vitin 2014. Vdiq në vitin 2016.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal që nga 13 shtatori është në Izrael. Ka zhvilluar disa takime të rëndësishme.
Ai vizitën e nisi me një takim me ministrin e Bashkëpunimit Regjional të Izraelit, Esawi Frej, e më vonë edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Krasniqi diskutoi për digjitalizimin e inovacionin me kryetarin e Federatës së Autoriteteve Lokale të Izraelit, Haim Bibas.