Arbëri

Kamberi reagon pas kërcënimit me “shpërngulje” nga deputetja serbe

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, deklaroi se është kërcënuar me arrestim e me shpërngulje nga trojet e tij, nga deputetja e Partisë Socialiste të Serbisë, Snezhana Paunoviq.

Kamberi shkroi të enjten në Facebook, se kërcënimi iu bë në seancën e Kuvendit të mërkurën, nga deputetja e Partisë Socialiste, që njëherësh është nënkryetare e Kuvendit.

“Kishte propozuar arrestimin tim sepse një ditë më parë, gjatë fjalimit tim rreth Kosovës, kisha theksuar domosdoshmërinë e udhëheqjes së politikës me ambicie realiste. Zonja Paunoviq kërkon të arrestohet deputeti i cili në seancën parlamentare, duke shfrytëzuar lirinë e mendimit dhe shprehjes - liri kjo e ‘garantuar’ me Ligjin për Kuvendin - rreth një pike të rendit të ditës duke kërkuar udhëheqjen e politikës së ballafaqimit me realitetin. Kur është në pyetje Kosova, inkuizicioni në Serbi që moti ka marrë hov, duke i cilësuar tradhtar apo armiq të Serbisë ata që hapur flasin cili është realiteti rreth Kosovës”, tha Kamberi.

Ai theksoi se në Kuvendin e Serbisë po bëhet inkuizicion dhe se kërcënimet “për djegie në turrën e druve” ndodhin nëse flitet e vërteta.

“Më vjen keq për kokëfortësinë e tyre të refuzimit të realitetit rreth Kosovës. Politika serbe karshi Kosovës vazhdon të mbetet dogmatike jo realiste. E vërteta mund të jetë e hidhur por nuk duhet ta mohosh.. Me apo pa mua ‘toka do të vazhdojë të rrotullohet’. Me apo pa mua, Kosova do të mbetet e pavarur”, shkroi tutje ai.

Deputetja Paunoviq, deklaroi të mërkurën se nëse Serbia ka gabuar me lirimin e kryeministrit Albin Kurti nga burgu në vitin 2001, nuk duhet të gabojë “me mosarrestimin e Shaip Kamberit”.

“Nëse nuk është e mundur kjo ta shpërngulim nga këtu”, ka shtuar ajo.

Paunoviq është pjesë e partisë që udhëhiqet nga Ivica Daçiq, e është themeluar nga krimineli Slobodan Milosheviq.