Arbëri

Nënshkruhet marrëveshja për IPA III me vlerë 64 milionë euro

Nënshkruhet marrëveshja për IPA III me vlerë 64 milionë euro

Është nënshkruar të martën në Prishtinë, marrëveshja për programin e parë financiar vjetor IPA III.

Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi dhe ambasadorit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka vlerë 63.96 milionë euro.

Shefi i zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, ka thënë se përmes këtij programi synohet kryesisht mbrojtja e ambientit, por edhe çështje të tjera me rëndësi, siç janë projektet për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

“Ne fokusohemi me të vërtetë për mbrojtjen e ambientit por mjete të caktuara janë ndarë edhe për infrastrukturë dhe për grante përformuese”, ka thënë Szunyog.

Zëvendëskryeministri Bislimi, teksa ka folur për IPA II, ka thënë se shumica e mjeteve të kursyera nga ky program do të barten për projektin e filtrave për termocentralin “Kosova B”.

“Duke parë rëndësinë që ka projekti i vendosjes së filtrave në “Kosovën B” shumicën e mjeteve të kursyera i kemi bartur te projekti i filtrave për “Kosovën B” i cili fillon zbatimin në vitin 2024. Të gjitha projektet të cilat janë negociuar në kudër të IPA 2021 kanë një afat prej tri viteve”, ka thënë Bislimi.

Pas këtij nënshkrimi nisin procedurat për ratifikimin e marrëveshjes në Kuvend.