Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kujtuar viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA.
Krasniqi ka thënë se frontit të përbashkët global kundër terrorizimit, i është bashkuar edhe Kosova.
“Sot, me dhembje kujtojmë 11 shtatorin e vitit 2001, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës u goditën nga sulmet terroriste, që morën jetën e rreth 3 mijë personave. Megjithatë, ajo që ishte menduar të ishte goditje për SHBA-të dhe botën demokratike, vetëm sa i bashkoi të gjithë, për tu ngritur më fuqishëm e më guximshëm se kurrë kundër terrorizmit dhe në mbrojtje të më të shtrenjtës: Lirisë! Frontit të përbashkët global kundër terrorizmit, që udhëhiqet nga SHBA-të tash e 21 vjet, i është bashkuar edhe Kosova. Në përvjetorin e 21-të të kësaj ngjarjeje që ndryshoi drejtimin e historisë së re, qëndrojmë pranë popullit mik amerikan, për të kujtuar këtë ditë dhe për të ndarë dhembjen dhe pikëllimin me ta”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
E ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se 11 shtatori është dita që i ka kujtuar botës se duhet mobilizim kundër të ligës për të mbrojtur vlerat demokratike.
“11 shtatori është dita që na ka prekur të gjithëve thellë në zemrat tona, ditë që i ka kujtuar botës se duhet mobilizim kundër të ligës për të mbrojtur vlerat demokratike. Republika e Kosovës dhe populli i saj do të mbeten gjithmonë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit të saj. Zoti e bekoftë Amerikën dhe popullin e saj! Zoti i bekoftë viktimat dhe familjarët e tyre!” – ka shkruar Hoti në Facebook.