Arbëri

Kosova ndër kampionet evropiane për mungesë të anesteziologëve

 

Kosova është shteti me pothuajse numrin më të vogël të mjekëve anesteziologë në të gjithë Evropën. KOHA ka analizuar numrin e mjekëve të këtij profili në shumë shtete. Për 100 mijë banorë, Kosova i ka vetëm 6.5 mjekë, por për shkak që nuk ka sigurime shëndetësore dhe shteti nuk mund të llogaritë në shërbimet e mjekëve që punojnë në privat, atëherë i bie që Kosova ka vetëm 5 anesteziologë për çdo 100 mijë banorë. Të gjitha shtet fqinje kanë dyfishin e këtij numri. E, Amerika, vendi ku ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka punuar si mjek për dekada, ka katërfishin e numrit të anesteziologëve të Kosovës për 100 mijë banorë. Shtetet skandinave qëndrojnë më së miri në botë sa u përket këtyre statistikave. Për çdo 100 mijë banorë kanë deri në 33 anesteziologë

Kosova është vendi pothuajse më i varfër në Evropë për kah numri i mjekëve anesteziologë. Mungesa e tyre e bën kampione edhe në nivelin global. E, më keq se Kosova është India.

Këto të dhëna dalin nëse merren për bazë të dhënat e Hartës së Fuqisë Punëtore në Anesteziologjinë Globale.