Arbëri

Hoti e quan të vonuar pakon e Qeverisë për inflacionin, ofron një zgjidhje tjetër

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka quajtur të vonuar dhe joadekuate pakon për përballje me inflacionin, të paraqitur një javë më parë nga Qeveria e Kosovës.

Hoti përmes një statusi në Facebook të shtunën, ka thënë se zgjidhja e vetme për një përballje të tillë është indeksimi i pagave, pensioneve, asistencës sociale dhe subvencioneve për normën e inflacionit.

“Tani është e qartë se rritja e çmimeve do të vazhdojë edhe për disa muaj. Me gjasë, pas një kohe çmimet do të stabilizohen në nivele të larta. Prandaj, rënia e fuqisë blerëse e të ardhurave të familjeve nuk është e përkohshme dhe, rrjedhimisht, nuk mund të zgjidhet me masa të njëhershme. Masat duhet të jenë sistematike dhe afatgjata. Zgjidhje e qëndrueshme, edhe pse jo perfekte, mbetet indeksimi i pagave, pensioneve, asistencës sociale dhe subvencioneve sipas normë së inflacionit. Vetëm kështu do të ruhej fuqia blerëse e të ardhurave. Vetëm kështu parandalohet thellimi i varfërisë dhe rënia e cilësisë së jetesës”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, kjo zgjidhje do të ishte lehtësisht e realizueshme në sektorin publik.

“Për më tepër, kjo nuk do të ngarkonte shumë buxhetin e shtetit, pasi të hyrat tatimore janë rritur proporcionalisht me rritjen e inflacionit. Ndërkaq, për sektorin privat do të duhej të rritej paga minimale me vendim të Qeverisë për tu reflektuar në rritjen e pagave të kategorive më të ndjeshme të punëtorëve që kanë paga të ulëta”, ka shtuar ai.