Arbëri

Lladrovci: Adresa më e mirë për Kica-Xhelilin do të ishte PDK-ja, dëm që s’erdhi te ne

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se adresa më e mirë për deputeten Doarsa Kica-Xhelili, do të ishte Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Lladrovci ka shkruar të enjten në Facebook se është një dëm i madh që ajo nuk ka aderuar në partinë e tij.

Sipas Lladrovcit, Kica-Xhelili është dëshmi për gruan e fortë në politikë, e cila ia përplasi derën partisë së shumicës.

“Gratë e forta në politikë, nuk janë të rralla, por, për fat të keq, bota mashkullore i mbivoton me zhurmë e mashtrime. Mbivotimin e zërit të gruas nuk e kemi lejuar në Drenas. Dëshmi për gruan e fortë në politikë është Doarsa Kica Xhelili e cila ia përplasi derën partisë së shumicës. Politika nxjerr bërllokun në shesh më shpejt se profesionet tjera. Doarsa tregoi në politikë si mund të jesh vetja, vetja përball joshjes së pushtetit dhe shpërblimit që vije nga shumica. Trushpëlarët ditëve të fundit po e sulmojnë në rrjete sociale pa nda, por, nuk do të kenë sukses kundër një gruaje të fortë. Rreshtimi kundër shumicës parlamentare është arritje kundër mashtrimit. Adresa më e mirë e saj, për këtë guxim ku forca e bën fuqinë, do të ishte PDK-ja. Dëm që nuk erdhi tek ne”, ka shkruar Lladrovci.

Deputetja Doarsa Kica-Xhelili ka zyrtarizuar aderimin e saj në Lidhjen Demokratike të Kosovës të enjten. Ajo ka qenë deputetë e listës “Guxo”.