Arbëri

Kurti e Nagavci bëjnë thirrje të fillojë mësimi në shkolla

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit, Arbërie Nagavci, kanë bërë thirrje që të fillojë mësimi nëpër shkolla.

Kurti e Nagavci në fshatin Llugë në Podujevë në përcjellje të kryetarit të komunës, Shpejtim Bulliqi, kanë inauguruar gurëthemelin e shkollës së re "Ilir Kunushevci" në këtë fshat.

“Kemi nevojë për më shumë mësim, shkolla, për më shumë mësimdhënësie e mësimnxënie. Nga situata aktuale duhet të dilet vetëm duke nisur mësimi për nxënësit, duke shkuar në shkolla mësimdhënësit e po ashtu nxënësit. Meqenëse nuk zhvillohet vendi pa arsim, ekonomia nuk zhvillohet pa mësim e edukim. Kemi ndëmarrë si asnjë Qeveri më herët, masa të ndryshme për përmirësimin e pozitës sociale të gjithë qytetarëve, përfshirë mësimdhënësit”, ka thënë Kurti.

E ministrja Nagavci po ashtu ka thënë se duhet filluar viti shkollor.

“Edhe nga këtu, si në çdo paraqitje time, i bëjë thirrje mësimdhënësve të jenë pranë nxënësve e bashkë me nxënësit. Të mos humbet më asnjë orë mësimi, pasi dëmet e shkaktuara janë të mëdha”, ka thënë Nagavci.