Të martën është përmbyllur fushata njëvjeçare kundër dhunës në familje. IKD e CLARD shpalosën aktivitetet e zhvilluara gjithandej Kosovës për të informuar qytetarët për dhunën në familje dhe pasojat e saj, si dhe për mundësitë e qasjes në drejtësi përmes ndihmës juridike falas.
Dhjetëra broshura janë shpërndarë gjatë ditës me qëllim të informimit dhe vetëdijesimit të qytetarëve kundër dhunës në familje.
Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Clard, të martën, kanë shpalosur detaje e projektit “Edukimi kundër dhunës në familje dhe ngacmimit seksual”.
Organizatorët thonë se përmes aktiviteteve kanë avokuar edhe për mundësitë e qasjes në drejtësi përmes ndihmës juridike falas.
Anton Ndrecaj nga Instituti Clard ka thënë se krahasuar me vitin e kaluar që janë raportuar 1 mijë e 900 raste gjatë tërë vitit, deri më tani vetëm në gjashtëmujorin e 2022-s janë raportuar 1 mijë e 300 raste.
“Jo vetëm pjesës së dhunës në familje, por edhe proceset e tjera pasi një numër i madh i viktimave të dhunës në familje nuk përfundon vetëm me procesin e dhunës në familje, por vazhdon edhe me procese të tjera të ndryshme civile, qoftë ajo pjesa e shkurorëzimit, madje pjesa e ndarjes së pasurisë së përbashkët. Do të thotë secila janë procese të ndara, të cilat ne vazhdojmë t’i mbështesim dhe t’u ofrojmë mbështetje viktimave të dhunës në familje”, ka thënë Ndrecaj.
E Ehat Miftaraj nga IKD ka ritheksuar mosangazhimin e duhur të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë për t’i mbrojtur viktimat e dhunës në familje. Ka thënë se mungojnë dënimet meritore.
“Nëse marrim për bazë faktin se kemi rritje të raportimeve, nuk po shohim edhe një reagim adekuat të institucioneve për të dhënë dënime meritore në këto raste apo për të parandaluar këto raste përmes formave që përcakton ligji dhe procedurave të standardeve të veprimit që janë të miratuara nga institucionet ligjzbatuese në Kosovë”, ka deklaruar Miftaraj.
Bazuar në raportin 24-orësh të Policisë, tre persona janë arrestuan të hënën, të dyshuar për rastet “ngacmim seksual” dhe “ngacmim”.