Zbatim të përpiktë të Kodit Penal dhe Procedurës Penale dhe akteve tjera ligjore e nënligjore për rastet e dhunës, ka kërkuar ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, në një takim me kryeprokurorët e prokurorive të vendit. Në një njoftim për media thuhet se në takimin e së martës është raportuar nga të gjitha prokuroritë, në shifra zyrtare për rastet e dhunës në familje dhe ato të dhunës seksuale.
“...U diskutuan çështjet dhe praktikat që kanë të bëjnë me veprimet procedurale dhe ligjore në trajtimin e rasteve penale, konkretisht atyre të dhunës në familje dhe dhunës seksuale”, thuhet në njoftim.
“Në këtë kontekst, U.D. Kryeprokurori Kelmendi, ka dhënë rekomandimet e nevojshme lidhur me vëmendjen që duhet pasur secila prokurori në rrugën që është përpara dhe ka kërkuar zbatimin e përpiktë të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, akteve të tjera ligjore dhe nënligjore sa i përket secilit rast, pa dallim, zbatim ky, që ndikon në rritjen e efikasitetit gjatë trajtimit të këtyre rasteve dhe të gjitha rasteve të tjera penale”, vazhdon komunikata.
Sipas njoftimit, në takim u diskutua edhe për trajtimin adekuat me “anë të mekanizmave institucionalë të rasteve me ndjeshmëri të lartë publike, duke reflektuar gjithnjë në të drejtat e viktimave, të drejtat e të pandehurve dhe të drejtat e të miturve në procedurë penale, përfshirë edhe ato të personave me çrregullime mendore”.
Komunikata përfundon me kërkesën e Kelmendit që çdo lëndë të trajtohet me përgjegjësi të lartë, të përfaqësohet dhe të mbrohet me dinjitet e profesionalizëm pranë secilës instancë gjyqësore.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka qenë cak i kritikave ditëve të fundit që kur u bë publik rasti i dhunës ndaj një 11-vjeçareje. Javën e shkuar u arrestuan pesë persona nën dyshimin e dhunimit të saj, ndërsa pas raportimeve se viktima ishte raportuar e zhdukur edhe në qershor, u arrestuan edhe gjashtë të tjerë nën dyshimin për “dhunim” e “trafikim” të mëhershëm. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kujtim Munishi duhet të japë dorëheqje nga posti i kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Ndër vite gjykatat në Kosovë kanë shqiptuar dënime të buta për trafikantët e vajzave të mitura, dhunuesit recidivistë dhe sulmuesit seksualë. KOHA ka analizuar disa nga aktgjykimet e nxjerra muajve të fundit.