Arbëri

Bislimi nga Lugina: E frikshme shpejtësia me të cilën Serbia arriti të shpopullojë këtë rajon

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se është e frikshme shpejtësia me të cilën Serbia ka arritur që me politikat e saj, të shpopullojë rajonin e Luginës së Preshevës nga shqiptarët.

Në konferencën për shtyp, bashkë me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafi, Bislimi është shprehur i shqetësuar me numrin e vogël të nxënëse shqiptarë.

“Bashkë me ministren Arbërie Nagavci kemi realizuar një sërë takimesh edhe me lidershipin politik komunal dhe nivel qendror ku takuam edhe deputetin Shaip Kamberi dhe vizituam dy shkolla. Takuam nxënësit dhe u kemi dhënë libra falas. 4 mijë e 10 nxënës kanë përfituar tekste falas për mësimin në gjitha klasat e fillores. Po aq sa jemi të gëzuar që kemi pasur mundësinë të mbulojmë këtë kosto, po aq jemi të shqetësuar që kemi ndarë libra për vetëm 4 mijë e 10 nxënës, duke ditur që para pak viteve në shkollat fillore dhe të mesme të Luginës së Preshevës kanë vijuar mësimin mbi 13 mijë nxënës shqiptarë. Është pak e frikshme shpejtësia me të cilën Serbia ka arritur që me politikat e saj ta shpopullojë këtë regjion”, ka thënë ai.

Bislimi ka shtuar do të insistojë që çdo të drejtë që Serbia kërkon për qytetarët serbë në Kosovë, të njëjtat t’i kenë shqiptarët në Luginën e Preshevës.

“Temë me rëndësi në Bruksel do të jetë edhe garantimi i simetrisë dhe barazisë në të drejta mes qytetarëve shqiptarë në Luginë dhe atyre serbë në Kosovë. Ka ardhur momenti kur mund t’i tregojmë gjithë Evropës si fytyra e vërtetë e Serbisë vërehet në Luginë meqë mendojmë që s’ka asnjë regjion në Evropë ku popullata ende në vitin 2022 lufton për tekste mësimore për të drejta bazike, lufton për përfaqësim qoftë minimal nëpër institucione shtetërore”, ka thënë ai.

Gjatë kësaj vizite zyrtare, Bislimi tha se letra e kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe e presidentit francez, Emmanuel Macron, tregon se në këtë periudhë kohore, kur s’ka zgjedhje as në Kosovë e Serbi, e as në SHBA e BE, të merren vendime të mëdha, që nënkuptojnë arritjen e marrëveshjes finale me njohje reciproke.

Viteve të fundit, Serbia përmes disa ligjeve ka arritur që shumë shqiptarëve t’ua shlyejë adresat e vendbanimit, e me këtë edhe ua ka pamundësuar të marrin dokumente se janë banorë të këtyre komunave shqiptare.