Nxënësit edhe të hënën larg shkollave, greva vlerësohet se do të “ngufasë” sistemin arsimor
Nxënësit edhe këtë javë nuk do të ulen në bankat shkollore. Sindikalistët kanë thënë se greva e përgjithshme e punëtorëve të sektorit publik do të vazhdojë, pasi ekzekutivi nuk ka reflektuar karshi kërkesave të tyre. E, thirrje për ndërprerje të grevës pati të dielën nga ministria e Arsimit dhe nga kryetarët e katër komunave që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje. Ndërkaq, njohësit e arsimit thonë se greva do të ndikojë në ngufatjen e sistemit arsimor
Edhe këtë të hënë nxënësit nuk do të ulen në bankat shkollore. Sipas Sindikatës së Bashkuar, greva e përgjithshme do të vazhdojë edhe këtë javë.
Një ditë pas ndërmjetësimit të Presidencës për të gjetur një zgjidhje, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se ekzekutivi nuk ka tentuar që t’i takojë.
E, Ministria e Arsimit i ka ftuar mësimdhënësit që nga e hëna t’i kthehen punës. Nga kjo ministri është thënë se janë individë nga hierarkitë politike që po ushtrojnë presion të fuqishëm tek mësimdhënësit për të mos e filluar punën.
Thirrje që greva të ndërpritet dhe që shkollat të hapen nesër kanë adresuar të dielën edhe kryetarët e Komunës së Podujevës, asaj të Gjilanit, të Kamenicës dhe të Shtimes, që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.
Lidhur me situatën, Këshilli i Prindërve i Kosovës është ende duke e zhvilluar një takim dhe kanë bërë të ditur se do të dalin me një njoftim pas përfundimit të tij.
E alternativa të tjera për të arritur qëllimet, nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit i ka kërkuar njohësi i Arsimit, Rinor Qehaja.
"Diskutimi dhe një komunikim më i strukturuar dhe më i hapur mes Qeverisë dhe Sindikatës do të duhej të ndodhte para situatës që jemi dhe inkurajoj që të ndodhë edhe tani, marrë parasysh tani që të tejkalohet kjo ngufatja e sistemit arsimor. SBASHK-u në asnjë moment nuk mundet me na argumentuar që duhet të ndërpritet procesi mësimor për shkak të një shujte. SBASHK-u duhet të gjejë alternativa të tjera të reagimit sindikal, mirëpo nuk guxojnë që pasojat t'i bartin te nxënësit, pasojat e një konflikti sindikal", ka thënë Qehaja.
Sipas tij, orët e humbura nuk do të mund të kompensohen asnjëherë.
“Këto orë të humbura dhe këto ditë të humbura nuk mund të zëvendësohen asnjëherë, pra do të barten tutje si ditë të humbura për nxënësit tanë që veç se janë pjesë e një sistemi arsimor që ata veçse i vë mbrapa nga bashkëmoshatarët e tyre nga vendet e tjera të rajonit, pra një sistem jo i mirë arsimor do të vazhdojë të thellohet tutje edhe me orë mësimore të humbura", ka shtuar ai.
Që nga 25 gushti, punonjësit e sektorit publik, të cilëve u janë bashkuar edhe mësimdhënësit, janë në grevë të përgjithshme.
Kërkesa kyç e sindikalistëve është ndarja e nga 100 eurove në muaj deri në miratimin e Ligjit për Paga.
Ata, po ashtu, kërkojnë që të formohen grupet e përbashkëta Qeveri-Sindikatë për të punuar në Projektligjin e Pagave, i cili është në konsultime publike që nga mesi i gushtit.
Sipas Projektligjit, paga e mësimdhënësve të institucioneve arsimore parauniversitare do të rritet deri në 690 euro.