Arbëri

Kurti: Kur dhunuesi lirohet pas tetë muajsh burgim, vettingu është i domosdoshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar gjyqësorin në Kosovë që nuk po e bën punën ashtu siç kërkohet, të fuqizojë sundimin e ligjit me profesionalizëm. Ai ka thënë se përkundër garancive kushtetuese, gjyqësori në Kosovë duket sikur mundohet ta bëjë të kundërtën.

Në konferencën e përbashkët të dielën me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Kurti përmendi raste kur një i dënuar për dhunim seksual ec i lirë nëpër rrugë të kryeqytetit, kur dhunuesi lirohet pas tetë muajsh burgim, nuk rehabilitohet, e përsëritë veprën e madje edhe vret.

Për këtë arsye, sipas tij, nuk ka alternativë tjetër pos vettingut në sistemin gjyqësor e prokurorial.

“Fuqia që vjen nga pozita e gjyqtarit dhe prokurorit në vete ngërthen përgjegjësi të madhe ndaj qytetarit, për të garantuar të drejtat e secilit, e për të fuqizuar sundimin e ligjit, gjyqtari vepron me urtësi, maturi e profesionalizëm. Gjyqësori ynë përkundër të gjitha garancive kushtuese ngjan sikur mundohet ta dëshmojë të kundërtën. I akuzuar dhe i dënuar për shumë vepra penale ec i lirë nëpër rrugët e Prishtinës, dhunuesi lirohet pas tetë muajsh burgim, dhunuesi nuk rehabilitohet, e përsërit veprën e madje edhe vret, nuk ka alternativë ndaj vetingut të sistemit gjyqësor e prokurorial. Këtë e kuptojnë edhe vetë akterët e këtij sistemi e edhe ata më skeptikët për vetingun”, ka thënë Kurti.

Këtë adresim për media, Kurti e Haxhiu e mbajtën një ditë pas njoftimit se janë arrestuar edhe gjashtë persona që dyshohet se e kanë trafikuar në qershor 11-vjeçaren që dyshohet se u dhunua nga pesë persona në fund të muajit gusht.

“Gjatë kësaj jave na tronditi të gjithë lajmi nga krimi që për viktimë e kishte vajzën 11 vjeçare, në taste si këto i humbë kuptimi zbatimi, respektimi i ligjit, të drejtave të njeriut, respektimit të ligjit, ndjekës së krimit, ushtrimit të pozitave të larta shtetërore që kanë për detyrë ndjekjen e atyre që rrezikojnë mirëqenien e qytetarëve”, ka thënë Kurti.

Ai shtoi se nëse kryesi i veprës penale ka qënë i dënuar por gjendet i lirë, dështon zinxhiri institucional.

“Kur kryesi i veprës penale ka qenë i dënuar për vepra penale dhe gjendet i lirë, kur dështon zinxhiri institucional për ndjekjen e veprës penale, policia, prokuroria dhe gjykata, dështon drejtësia, kurse faturën e paguan qytetari. Me qëllim të koordinimit me gjithë akterët politikë në vend kam thirrur takim me liderët e opozitës ashtu që puna e mëtutjeshme në procesin e vetingut të arrijë konsensus të plotë, me përjashtim të LDK-së të gjithë e kanë pranuar ftesën dhe kemi zhvilluar takime”, ka thënë ai.