Arbëri

Vizita e Bërnabiqit, Kurti: Kundërpërgjigje ndaj vizitës tonë të paralajmëruar në Preshevë

Me lejen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq të hënën do t’i vizitojë komunat në veri të vendit.

Po në të njëjtën ditë, vizitë do t’i bëhet edhe Luginës së Preshevës, veçse jo nga kryeministri Albin Kurti, por nga vartësit e tij, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Nisur nga njoftimi për vizitë të Bërnabiqit, krerët e Luginës së Preshevës i kanë bërë ftesë kryeministrit Kurti që edhe ky të shkojë për vizitë atje.

“MPJ-ja e Kosovës ka konfirmuar vizitën e kryeministres së Serbisë në Kosovë. Andaj, më 5 shtator, zonja Bërnabiq do të udhëtojë drejt komunitetit serb në veri të Kosovë. E ftoj kryeministrin Albin Kurti për vizitë dyditore te shqiptarët në Luginën e Preshevës”.

Në konferencën e së shtunës, kryeministri është shprehur se planet e tij nuk ndryshojnë varësisht agjendave të Serbisë.

“Pra, ne bëjmë planin tonë, agjendën tonë qeveritare, unë do të shkoj një ditë, por nuk është shkuarja jonë të hënën reagim, përkundrazi, kur ata e kanë kuptuar që ne do të shkojmë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc e kanë bërë kërkesën që edhe Bërnabiq të vijë në veri të Mitrovicës, Zveçan e Leposaviq”.

Edhe kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafa, tha se vizita e Bërnabiqit është kundërpërgjigje ndaj kërkesës së përfaqësuesve kosovarë për vizitë në Luginë. Ai i ka bërë ftesë edhe Kurtit për vizitë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, porse tha që atë ta bëjë në një kohë të përshtatshme për t’i shmangur tensionet.

“E para, ne nuk jemi të interesuar për të nxitur tensione. E dyta, nuk jemi që të bëhet sa më shumë e më shumë tollovi. Dhe e treta, shqiptarët e Luginës së Preshevës, përfaqësuesit institucionalë dhe politikë, në vazhdimësi kanë bërë ftesa sa u përket vizitave të zyrtarëve të lartë në Kosovë. Besoj që në kohën kur ta sheh që është e mundur dhe e përshtatshme, edhe kryeministri i Kosovës do ta vizitojë Preshevën”.

Gjatë vizitës njëditore, Bërnabiq do të qëndrojë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan dhe Leposaviq. Me të do të jetë edhe Petar Petkoviq, i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.