Arbëri

Të hënën protestohet sërish: Përdhunimi i 11-vjeçares s’tejkalohet me dy shkarkime

Descriptive Text

Gjashtë organizata joqeveritare kanë njoftuar se të hënën do të protestojnë sërish për rastin e përdhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë, pasi sipas tyre, kjo çështje nuk mund të tejkalohet vetëm me dy shkarkime.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Femnist, YIHR KS, CEL, QIKA, QIPS dhe QKSGj kanë thënë se protesta do të mbahet të hënën nga ora 12:00 para ndërtesës së Qeverisë.

“Përdhunimi i vajzës 11-vjeçare nga 5 djem e burra dhe dështimi institucional nuk mund të tejkalohet me dy shkarkime, dorëheqje e lojë fajësimesh mes institucionesh. Dhuna ndaj vajzave dhe grave është në nivele pandemike, andaj dhe luftimi i saj duhet të jetë urgjencë kombëtare”, thuhet në njoftim.

Legalizimi i përdorimit dhe shpërndarjes së gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray), shkarkimi i zyrtarëve policorë përgjegjës për rastin e përdhunimit të së miturës, krijimi i një njësiti të specializuar për dhunë seksuale në Polici, siguri, drejtësi dhe rehabilitim për të mbijetuarat e dhunës seksuale dhe futjen e lëndës së edukatës seksuale në shkolla, janë kërkesat e organizatorëve për protestën e së hënës.

Protestë për mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe vajzave pati të martën e të mërkurën në Prishtinë, të nxitura nga përdhunimi i një 11-vjeçareje nga pesë të dyshuar në Prishtinë më 27 gusht.

Për këtë rast, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve kanë dhënë dorëheqje. Pati edhe dy shkarkime të zyrtarëve policorë të premten.