Arbëri

Një nga të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares kishte 9 aktakuza dhe gjykime dënuese

I është dorëzuar Policisë personi i pestë i përfshirë në dhunimin e 11-vjeçares, që ka ndodhur tri ditë më parë në Prishtinë.

Të martën, në orët e pasdites, Policia ka bërë të ditur se i mituri Sh. K., që ishte në kërkim, është intervistuar dhe se, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, ndaj tij do të ndërmerren të gjitha veprimet.

“Si rezultat i punës, angazhimeve dhe hetimeve intensive nga Policia e Kosovës, tani edhe personi i pestë i dyshuar, i cili ka qenë në kërkim policor, është duke u intervistuar nga hetimet rajonale të DRP në Prishtinë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore lidhur me të dyshuarin, i cili dyshohet se është i përfshirë në rastin “dhunim” të ndodhur në Prishtinë, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet nga Policia e Kosovës.

E, Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit për dy të miturit e tjerë të arrestuar një ditë më parë nga Policia.

Gjykatësja Elife Ukaj ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për G.J. dhe Xh.S., të dyshuar se kanë dhunuar 11-vjeçaren.

“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, ku dyshohet se është kryer ndaj një të miture dhe me lënien në liri ekziston rreziku i ikjes së tyre, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia, ekziston rreziku që të njëjtit do t’i asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë provat e veprës penale, ndikimit në të dëmtuarën dhe në dëshmitarë, andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandalojë të njëjtit në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme”, thuhet nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Një ditë më parë 26-vjeçarit E.R., që është i dyshuar po kështu për dhunimin e 11-vjeçares, gjykata ia ka caktuar masën e paraburgimit. Sipas të dhënave të Prokurorisë, ai ka të kaluar kriminale. Janë gjithsej 9 aktakuza që rëndojnë mbi të.

“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se për personin me inicialet E.R., pas verifikimit në databazën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, figurojnë raste penale kundër tij në drejtim të veprave penale “Vjedhja e rëndë”, “Vjedhja e pyllit” dhe “Dhuna në familje”, të parapara sipas KPRK-së, për të cilat raste Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuza dhe i ka proceduar në gjykatë për trajtim të mëtejmë. Sa i përket procesit gjyqësor, mos hezitoni t’i delegoni pyetjet në gjykatë”, tha zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

E, në Gjykatën Themelore në Prishtinë treguan se ndaj këtij të dyshuari, që nga 2019-a e deri në janar të këtij viti janë marrë vendime dënuese e në disa raste lëndët ndaj tij janë parashkruar.

Në maj të vitit 2019, E.R. ishte dënuar me 1 vit burgim dhe 400 euro gjobë për veprën penale të vjedhjes.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, më datë 15.05.2019, ka shpallur aktgjykimin për të akuzuarit A.L., E.R. dhe B.T. për shkak se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vjedhje”. I akuzuari E.R. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej (1) një viti dhe dënim me gjobë prej 400 eurosh”.

Vetëm 4 muaj më vonë gjykata kishte hedhur aktakuzën për vjedhje në pyll për shkak të vjetërsimit absolut të lëndës.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, në çështjen penale P.nr.2656/15 kundër të pandehurve I.K., A.K. dhe E.R., për shkak të veprës penale “Vjedhja e pyllit”, më 24.09.2019, ka marrë aktvendim dhe është hedhur akuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, si dhe është pushuar procedura penale kundër të akuzuarve I.K., A.K. dhe E.R., të akuzuar për shkak të veprës “Vjedhje e pyllit” nga neni 358, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale”, thuhet nga vendimi i gjykatës.

E, në dhjetor të vitit 2020 po kjo gjykatë e kishte shpallur fajtor të dyshuarin E.R. për dhunë në familje, duke e dënuar me 6 muaj burgim dhe gjobë prej 300 eurosh. Burgun nuk e kishte mbajtur, meqë dënimi ishte me kusht. Sipas vendimit të gjykatës, vendimi do të ekzekutohej vetëm në rast se i dyshuari do të kryente ndonjë vepër penale të ngjashme.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, 1.12.2020 ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale P.nr.991/2020 kundër të akuzuarit E.R. për veprën penale ‘Dhuna në familje’. I akuzuari E.R. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim me kusht në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muajsh, si dhe dënimin me gjobë me kusht në shumën treqind (300) euro, të cilat dënime nuk do të ekzekutohen nëse i akuzuari brenda periudhës së verifikimit në kohëzgjatje prej një (1) viti nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nuk kryen vepër tjetër penale apo të ngjashme”, thuhet në vendim.

Vetëm një muaj më vonë, në janar të vitit 2020, një tjetër lëndë ishte parashkruar ndaj këtij të dyshuari për dhunim.

Gjykata kishte hedhur poshtë aktakuzën për vjedhje, për shkak të vjetërsimit të lëndës.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, në çështjen penale P.nr. 234/17 kundër të pandehurve L.N. dhe E.R. për shkak të veprës penale “Vjedhja” nga neni 325, paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, më datë 13.1.2020, ka marrë aktvendim dhe është hedhur akuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe është pushuar procedura penale kundër të akuzuarve L.N. dhe E.R., të akuzuar për shkak të veprës penale “Vjedhje” nga neni 325, paragrafi, 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale”, thuhet në vendimin.

Një tjetër lëndë për vjedhje ndaj të dyshuarit E.R. është parashkruar edhe në janarin e sivjetmë.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, në çështjen penale P.nr.4111/17 kundër të pandehurve E.R. dhe L.N., për shkak të veprës penale “Vjedhja”, nga neni 325, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, më 28.01.2022 ka marrë aktvendim dhe është hedhur akuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe është pushuar procedura penale kundër të akuzuarve E.R. dhe L.N., të akuzuar për shkak të veprës penale “Vjedhja” nga neni 325, paragrafi 1, të KPRK-së, për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale”, thuhej në vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Personi me këta precedentë penalë, bashkë me 4 meshkuj të mitur, dyshohet se për 7 orë rresht e kanë dhunuar një 11-vjeçare katër ditë më parë në një park në Prishtinë.