1 perditesime
Arbëri

Kurti: Ministrat do të vlerësohen, asnjëri nuk është i paprekshëm

Kurti: Ministrat do të vlerësohen, asnjëri nuk është i paprekshëm
Foto: KOHA
11:42

Kurti: Ministrat do të vlerësohen, asnjëri nuk është i paprekshëm

Kryeministri Albin Kurti tha se ministrat dhe zëvendësministrat në Qeverinë e tij do të vlerësohen, por që nuk përjashtohet të ketë edhe ndryshime brenda kabinetit. Ai tha në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të dielën se ministrat duhet të shërbejnë, e jo të sundojnë, apo të jenë mendjemëdhenj.

“Na duhet punë kolektive e ekipore ku personat që e marrin një detyrë, dinë të punojnë pa krijuar probleme mes grupit për shkak të egove të tyre. Nuk kemi nevojë për mendjemëdhenj. Kush e merr një pozitë në qeverinë time, e merr për të shërbyer, jo për të sunduar. Ministrat e zv.ministrat nuk janë shefa, janë udhëheqës të projekteve zhvillimore, në përputhje me kushtetutshmërinë dhe me ligjet. Prandaj, modestia është cilësia që na duhet, sidomos në këtë kohë krize, e shoqëruar me vendosmëri të cilën e kemi përherë”, tha Kurti.

Kurti kritikoi edhe mungesën e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje nëpër seanca të Kuvendit, duke paralajmëruar se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, mund të përjashtohen nga listat zgjedhore.

“Askush nuk e ka votuar deputetin tonë që të mungojë në seanca. Të gjithë deputetët kanë punuar mirë, dhe unë ju falënderoj për jetë e u jam mirënjohës për këtë gjë, por e keni mundësinë të shkëlqeni. Mes jush mund të ketë ministra e zv.ministra të ardhshëm , edhe në ditët kur nuk jam kryeministër. Nëse nuk përkushtoheni tash e këtu, nëse nuk e ndihmoni Qeverinë, gjasat janë që edhe në mesin e deputetëve, do të ketë nga ata që nuk do të jenë në lista në zgjedhjet e ardhshme”, tha Kurti.

Sipas tij, reformim duhet të ketë edhe në administratë, pasi siç u shpreh Kurti, ka “elementë që nuk e kryejnë punën për të cilën paguhen”.

“Askush e askund nuk është i paprekshëm. Nuk kemi dashur të merremi me ndryshime ministrash e të stafit politik gjatë kësaj kohe sepse kemi pasur probleme të tjera, por ne e dimë se askush e asnjëri nuk është e nuk ndihet i paprekshëm. Ministrat, zv.ministrat dhe i gjithë stafi politik, e dinë që do të mund të ketë ndryshime e do të vlerësohen. Nuk do të merren për bazë influencat mediale të njërit apo tjetrit, por do të merren për bazë në vlerësim rezultatet e punës".

Siaos Kurtit, nuk do të mjaftojë të thuhet se ministrat nuk po vjedhin, por "kjo duhet të shoqërohet me rezultate sipas programit qeveritar dhe planit të punës”.

11:16

Kurti: Çmimet po rriten, është mirë të kursejmë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Kosova është ndër vendet me shifrat më të ulëta të inflacionit, krahasuar me vendet e zhvilluara evropiane. Ai tha të dielën se çmimet në Kosovë po vazhdojnë të rriten, por që kursimi është mënyra më e mirë për tejkalim të krizës.

“Me inflacionin jemi ndër vendet me shifrat më të ulëta, krahasuar me vendet e zhvilluara evropiane, sa i përket mbështetjes ekonomike që po i japim sektorit të energjisë, sipas ‘Financial Times’, Kosova është vendi i katërt në Evropë. Kjo mbështje është në disa forma”, tha Kurti të dielën, në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Kurtit, qytetarët nuk duhet të jenë pesimistë, por të kenë realizëm ekonomik, e të kursejnë pasi në kohë krize, sipas Kurtit, kursimi është patriotizëm.

“Çmimet po rriten, është mirë të kursejmë. Pra jo pesimizëm, por realizëm ekonomik. Kursimi në këtë kohë krize është patriotizëm. Ata që thonë mos kurseni duan t’iu vjedhin”, tha Kurti.

Ai deklaroi se pandemia e COVID-19, post-pandemia, lufta në Ukrainë, sanksionet ndaj Rusisë, tensionet mes Kinës e Tajvanit si dhe kriza klimatike në botë, ka ndikuar në rritjen e krizës ekonomike.

“Jemi ekonomi e vogël, por jemi mësuar me vështirësi. Do t’ia dalim duke ndihmuar njëri-tjetrin. Qeveria do të angazhohet për të zbutur dhimbjen ekonomike që do të ndjejë pjesën më të ndjeshme të shoqërisë. Do të ketë vazhdimisht qasje zhvillimore për të ofruar investime të huaja direkte. Në aspektin gjeopolitik e gjeoekonomik, do të jemi me kahje atlantiste e europianiste. Korrupsioni te ne nuk ka vend. Aktorët që tentojnë ta shfrytëzojnë krizën, do të hasin në vështirësi. Do të afrohemi ekonomikisht me Shqipërinë. Politikat tona social nuk maten nga tekat e askujt. Pakoja e ringjalljes ka arritur në 7 për qind të brutoproduktit vendor. Jemi Qeveria që ka ndërmarrë më së shumti politika sociale, më shumë se secila qeveri tjetër”, tha ai.