Arbëri

Serbia pajtohet t’i pranojë letërnjoftimet e Republikës së Kosovës

“Sipas dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord t’i shfuqizojë dokumentet hyrëse/dalëse për mbajtësit e ID-së së Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i paraqesë ato për mbajtësit serbë të ID-së”, ka njoftuar përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, të shtunën pasdite. Ai ka falënderuar liderët e dy vendeve, kryeministrin Kurti e presidentin Vuçiq, dhe ka kërkuar konstruktivitet edhe sa i përket çështjes së targave. Kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani në reagimin e tij kanë thënë se reciprociteti duhet të jetë fryma e zgjidhjeve parimore

Serbia është pajtuar t’i njohë dokumentet e identifikimit të shtetasve të Republikës së Kosovës. Njoftimin e ka bërë të ditur përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, të shtunën pasdite.

“Sipas dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord t’i shfuqizojë dokumentet hyrëse/dalëse për mbajtësit e ID-së së Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i paraqesë ato për mbajtësit serbë të ID-së”, ka shkruar Borrell në llogarinë e tij në Twitter, të shtunën pasdite. Ai është shprehur i lumtur për atë që e ka quajtur zgjidhje evropiane që lehtëson udhëtimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa ka falënderuar liderët e dy vendeve.

“Falënderoj Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë për lidershipin e tyre dhe nënvizoj bashkëpunimin e shkëlqyer praktik BE-SHBA”, ka thënë Borrell.

Shefi i diplomacisë evropiane, Borrell, ka kërkuar konstruktivitet nga Kosova dhe Serbia edhe sa i përket çështjes së targave. Ai në një videoadresim ka thënë se çështja e lirisë së lëvizjes nuk ka përfunduar dhe se duhet të gjendet një zgjidhje edhe për targat.

“Kam thënë shumë herë, në kohën e luftës në Ukrainë, me sfidat që BE që po përballet, ne në Evropë nuk kemi nevojë për probleme, nuk kemi nevojë për tensione. Duhet zgjidhje, duhet zgjidhje për Ballkanin Perëndimor. Ka disa probleme që kanë mbetur. Duhet të vazhdojmë që të punojmë për t’i zgjidhur. Sot është ditë shumë e mirë”, ka thënë ai.

Pas njoftimit të Borrellit ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Reciprociteti duhet të jetë fryma e zgjidhjeve parimore. Javën e kaluar fola me “Die Welt” për masat tona reciproke për targat e makinave dhe dokumentet e hyrje-daljeve me Serbinë, por gjithashtu fola edhe për fuqinë tonë punëtore të re dhe të kualifikuar, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e demokracisë”, ka shkruar Kurti.

E për arritjen e kësaj ujdie, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar SHBA-në dhe BE-në për mbështetjen, duke thënë se do të vazhdojmë pandalshëm angazhimin drejt njohjes reciproke.

“Reciprocitet e barazi. Liria e lëvizjes është themeli i shoqërive demokratike e i vlerave evropiane. Republika e Kosovës çdo ditë e më shumë po kontribuon në paqe dhe stabilitet. Falënderime Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për rolin e tyre mbështetës. Do të vazhdojmë pandalshëm angazhimin drejt njohjes reciproke”, ka shkruar Osmani në Facebook, disa minuta pas publikimit të lajmit për njohjen e dokumenteve.

Mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje e kishte paralajmëruar paraprakisht edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë ditës së shtunë, pesë ditë para hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë për reciprocitet në targa dhe dokumente të hyrje-daljes.

Gjatë një konference për media, Vuçiq ka thënë se përderisa për çështjen e targave nuk ka ndonjë dakordim dhe se vendimi i Kosovës për këtë do të hyjë në fuqi më 1 shtator, Serbia është duke pritur garancitë e zyrtarëve evropianë, sa u përket dokumenteve të hyrje-daljes.

Ai ka thënë se Serbia do t’i pranojë dokumentet e lëshuara nga Kosova, porse e ka një kusht.

“Serbia është e gatshme ta bashkëngjisë një shënim, në të cilin theksohet se mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga ana e Prishtinës [Kosovës] bëhet ekskluzivisht për arsye praktike të lehtësimit të pozitës së qytetarëve dhe mundësimit të lirisë së lëvizjes në përputhje me Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes që është arritur në dialog më 2011 dhe nuk mund të interpretohet si njohje e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Vuçiq.

Sipas presidentit të Serbisë, bisedimet me palën kosovare ishin “interesante”, por “të pasuksesshme”. Në kontekstin e këtyre çështjeve, ai ka folur edhe për fushatën serbe të çnjohjeve, duke thënë se ka në dispozicion shtatë dokumente për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Ka dokumente në sirtarin tim, jo ​​diku tjetër. Janë shtatë në kasafortën time. Ne do të zbulojmë kur të jetë e nevojshme. Është punë e vështirë dhe luftë e vështirë”, ka thënë presidenti i Serbisë.

Edhe Kosova ishte shprehur e gatshme të heqë dorë nga lëshimi i këtyre dokumenteve, nëse edhe Serbia do ta bënte të njëjtën gjë.

Pas njoftimit të Borellit ka pas reagime të shumta.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e ka mirëpritur arritjen e marrëveshjes për dokumente ndërmjet Kosovës e Serbisë. Cramon ka shkruar në Twitter se shpreson që së shpejti të arrihet edhe marrëveshja për targat dhe në fund edhe marrëveshja finale mes dy vendeve.

“Më vjen mirë të dëgjoj se një marrëveshje është arritur nën udhëheqjen e BE-së me mbështetjen e qartë të emisarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Escobar. Shpresojmë që zbatimi i shpejtë të çojë në gjetjen e zgjidhjes së targave të veturave dhe të na afrojë me marrëveshjen përfundimtare të normalizimit”, ka shkruar ajo në Twitter.

Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar që ky hap të shërbejë për zhvillime të tjera pozitive në dialog.

“Lajm i bukur zgjidhja me dialog e çështjes së lëvizjes së lirë mes Serbisë e Kosovës, e bashkë me urimet për të dy palët, uroj që ky zhvillim ta çojë dialogun në një nivel të ri, për të mos humbur kohë dhe energji pafund në arritjen e gjërave kaq thjeshtësisht logjike sa kjo sot”, ka deklaruar Rama.

Të rëndësishëm e ka vlerësuar marrëveshjen edhe emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Ai ka falënderuar emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për mbështetjen dhe koordinimin. “Lajme të mira!”, ka shkruar Sarrazin.

E kryetari i Këshillit Nacional të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafi, ka thënë se marrëveshja për dokumentet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një hap i vogël drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve që duhet të përmbyllet me marrëveshjen përfundimtare, ndërkombëtarisht të obligueshme. Mustafi ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi vihet përmes reciprocitet që nuk e eviton pashmangshmërisht edhe trajtimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

“Pavarësisht që ky dialog ndërmjetësohet nga përfaqësuesit e BE-së, kjo krizë potencialisht për eskalim theksoi si faktor vendimtar përfshirjen e SHBA-së”, ka shkruar ai.

Kosova kishte vendosur ta zbatojë masën e reciprocitetit duke nisur nga 1 gushti, mirëpo vendimi ishte shtyrë pas tensioneve të krijuar në veri dhe me kërkesë të SHBA-së dhe BE-së. Vendimi do të duhej të zbatohej një muaj më pas, më 1 shtator. Sipas vendimit, Kosova do të lëshonte dokumente hyrjeje për secilin qytetar të Serbisë që hyn në Kosovë, njëjtë siç ka vepruar deri tani Serbia me shtetasit e Kosovës që hyjnë në Serbi, qëkur palët arritën Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes 11 vjet më parë.

Ndërkaq, vendimi për targat konsiston në zëvendësimin e tyre nga ato që mbajnë akronimet PR, PE, GL, UR... me targat RKS (Republika e Kosovës) dhe pronarët e veturave kanë dy muaj afat për ta bërë këtë. Vlerësohet se 10.000 targa që lëshohen nga Serbia, me akronime të qyteteve të Kosovës, qarkullojnë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Vendimi për reciprocitet në dokumente të identifikimit dhe largimi i targave të paligjshme në komunat veriore pati rritur tensionet politike, ndërsa nuk munguan kërcënimet e Beogradit, nëse Qeveria nis me zbatimin e tyre. Në kërkim të një zgjidhje për këtë, por edhe për vetë procesin e dialogut, më 18 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte takuar në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. E disa ditë pas këtij takimi, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, vizituan Prishtinën dhe Beogradin. Thanë se janë të angazhuar për të parandaluar çfarëdo përshkallëzimi në Kosovë më 1 shtator. Pas takimeve me krerët institucionalë, Escobar u shpreh se është siguruar nga Kosova dhe Serbia se nuk do të ketë dhunë më 1 shtator.