Arbëri

Kosova s’ka obligim që të kërkojë pëlqim nga KFOR-i për dërgim të Njësisë Speciale në veri

Foto: Driton Paçarada\KOHA
 

Ish-presidenti Hashim Thaçi në letrën dërguar Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s kishte marrë vetëm obligim që të mos dërgohen njësitë e FSK-së në veri pa pëlqimin paraprak të KFOR-it. Por në NATO disa herë kanë sqaruar se Aleanca nuk është pjesë e asnjë aranzhimi që ia ndalon njësive policore të Kosovës shkuarjen në veri. Beogradi po manipulon duke e prezantuar obligimin rreth FSK-së si obligim që të mos dërgohet as Njësiti Special i Policisë.

Për një kohë të gjatë nga Beogradi ka përpjekje për të krijuar një situatë në të cilën Kosova nuk do të mund të dërgonte Njësi Speciale të Policisë në veri.

Për një periudhë kohore për një fushatë të tillë Serbia ka hasur në mirëkuptim edhe në disa qarqe në BE, qoftë për shkak se nuk kanë qenë të informuara sa duhet për obligimet nga e kaluara në dialog, apo për shkak se kanë mbajtur anën e Beogradit në këtë interpretim.