Arbëri

Ngec rokada e diplomatëve, me gjithë rekomandimet e Komisionit përkatës

Procesi i cili në të kaluarën kishte prodhuar shumë pakënaqësi - ai i rotacionit të diplomatëve të MPJD-së, ka ngecur edhe me Qeverinë aktuale. Ministrja Donika Gërvalla ende nuk ka nxjerrë vendime për disa propozime të cilat i kanë shkuar qysh në shkurt të këtij viti nga Komisioni për Rotacion, raportin e të cilit e ka siguruar KOHA

Procesi i rotacionit të diplomatëve ka ngecur, me gjithë propozimet që komisioni përkatës ia ka dërguar ministres Donika Gërvalla, që në shkurt të këtij viti. Për pasojë, shumë konsullata kanë mbetur pa titullarë.

Më 25 shkurt, Komisioni për rotacion ia ka përcjellë ministres raportin me rekomandimet e kandidatëve, të cilin kanë shprehur interesim për misione të ndryshme. Nga tre persona, sa janë rekomanduar, ministrja është e obliguar ligjërisht ta përzgjedhë njërin prej tyre, në mënyrë që sistemi i diplomatëve të karrierës të jetë funksional dhe konsullatat t’i kenë shefat e tyre.

Nga personat e rekomanduar në raportin të cilin e ka siguruar KOHA, mungojnë emërimet për në Hamburg, Stuttgart, Frankurt, Dusseldorf, dhe Gjenevë.

Deri tash, janë lëshuar vetëm disa vendime për emërime, disa prej të cilëve edhe janë kontestuar, për shkak të mospërmbushjes së kritereve.

Lulzim Hiseni është emëruar konsull i përgjithshëm në Strasburg. Por, në një raport të Shoqatës Sindikale të MPJD-së thuhet se, Hiseni është ndër përfituesit e gradave në mënyrë të kundërligjshme, pa kaluar përmes Komisionit për Grada dhe Disiplinë. Sipas Shoqatës, Hiseni është ngritur kundërligjshëm në dy grada në të njëjtën kohë- nga sekretari i parë në ministër-këshilltar, pa kaluar në Komisionin për Grada dhe Disiplinë.

Në Milano është emëruar Diamant Kastrati- Këshilltar, i cili aktualisht është në vitin e dytë të shërbimit në Ambasadën e Kosovës në Romë. Ligji për ministrinë dhe rregulloret përcaktojnë se diplomatët pas një mandati jashtë vendit, mandatin tjetër, diplomatët duhet të shërbejnë në ministri.

Sedat Burniku me gradën Ministër Këshilltar është caktuar për Toronto, megjithëse Komisioni për rotacion ka vlerësuar se ai i plotëson pjesërisht kriteret specifike dhe preferenciale.

“Ka mungesë vlerësimesh në dosje për punën e disa viteve në misione. Rekomandohet mbështetur në gjithë pjesën tjetër të plotësimit të kritereve, përvojën institucionale, diplomatike e konsullore”, shkruan në raport. Vlerësim i ngjashëm u ishte dhënë edhe dy aplikantëve të tjerë për këtë pozitë, Albana Bylykbashit dhe Srdjan Sentiqit. Megjithëkëtë Bylykbashi është caktuar në Londër.

Përveç ligjit, MPJ ka edhe Rregullore për shërbimin e jashtëm të cilat përcaktojnë mënyrën e rrotacionit. Neni 7 i rregullores flet për Sistemin e integruar të personelit.

“1. Sistemi i vlerësimit të rezultateve në punë dhe caktimet në detyra në formë rotacioni për personelin diplomatik dhe konsullor, janë të bazuara në konceptin: “Një Shërbim, një Ministri”. Sistemi i integruar i personelit të Ministrisë është në pajtueshmëri me ligjet dhe rregulloret e tjera për shërbimin civil të karrierës”, thotë pika 1 e këtij neni.

Ndërkaq neni 3 që i obligon diplomatët të jenë të gatshëm të futen në rotacion, sa herë që këtë ua kërkon ministri.

“Personeli i Ministrisë së Punëve të Jashtme duhet të jetë i gatshëm që të shërbejë kudo në botë, sa herë që Ministria e përcakton se është e nevojshme, qoftë në Republikën e Kosovës ose jashtë vendit”, thotë ky nen.

“Nga të punësuarit e Ministrisë së Punëve të Jashtme pritet që pranojnë me vullnet obligimet e tyre për të shërbyer në Republikën e Kosovës ose kudo jashtë vendit, sa herë që mund ta kërkojnë nevojat e Ministrisë”, saktësohet në nenin pasues.

Instituti “Demokraci Plus” në raportet e publikuara për MPJD-në ka identifikuar mangësi të shumta në procesin e rotacionit brenda MPJD-së, duke theksuar domosdoshmërinë për qartësi më të madhe ligjore.

“Kjo ka lënë shumë hapësirë për keqpërdorim, sidomos te çështjet e rotacionit dhe atë të emërimeve nëpër misionet diplomatike dhe konsullore. Mosdefinimi i qartë ka lejuar që politika të interferojë që nga procesi i rekrutimit të diplomatëve të rinj, e deri te gradimi i tyre, emërimi në misione diplomatike, si dhe te rotacioni i tyre – duke ua zgjatur mandatin atyre të cilët kanë mbështetje politike edhe në rastet kur me ligj specifikohet ndryshe”, shkruan në raportin e këtij instituti të publikuar në nëntor të vitit 2020.

Ligji mbi bazën e të cilit funksionon Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është miratuar një muaj pas shpalljes së pavarësisë, më 13 mars 2008. Ai është ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 03/L-207, i dekretuar nga presidenti më 8 korrik 2010. Edhe pse ka pasur disa tentativa nga qeveritë e kaluara dhe aktualja që udhëhiqet nga Kurti për ta hartuar një ligj të ri, kjo ende nuk është finalizuar.

Në MPJD nuk janë deklaruar lidhur me procesin e rotacionit të diplomatëve.

Edhe pse nuk ka përfunduar ende sistemimi i të gjithë zyrtarëve pas fuzinonimit të Ministrisë së Diasporës, MPJD-ja është në proces të rekrutimit të 32 diplomatëve të rinj, nëpërmjet konkursit i cili është mbyllur në fillim të gushtit.

“Koha” ka raportuar lidhur me pretendime të shumta për shkelje ligjore dhe kurdisje të konkursit.

Ditën kur është shpallur konkursi, zyrtares së personelit, Afërdita Krasniqi-Mustafa i është ndërruar pozita pa paralajmërim.

Shoqata Sindikale brenda MPJD-së, largimin e saj e ka ndërlidhur me fushatën hakmarrëse ndaj anëtarëve të saj si dhe konkursin përmes të cilit planifikohet rekrutimi i 32 zyrtarëve të rinj, duke thënë se transferi është bërë jo në interes të institucionit, por më shumë të Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, e cila do të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve. Sipas konkursit, dhjetë zyrtarë të misioneve diplomatike kërkohen me njohuri të avancuara të gjuhës angleze; shtatë të gjuhës frënge; shtatë të gjuhës gjermane; nga dy me njohuri të avancuara të gjuhës italiane, spanjolle e arabe; si dhe nga një zyrtar me njohuri të avancuara të gjuhës greke dhe portugeze.

Te përshkrimi që u bëhet kritereve, aplikantëve u kërkohet vetëm një kualifikim adekuat profesional dhe njohja e gjuhëve të huaja.

Kandidatët e përzgjedhur do të sistemohen në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në njërën nga njësitë organizative të MPJD-së, deri në plotësimin e kushteve formale për dërgimin e tyre në misione diplomatike.

Për arsye të njëjta dhe shkeljeve të pretenduara, Shoqata sindikale ka kërkuar edhe anulimin e një konkursi të brendshëm që ishte shpallur më 20 korrik për 16 pozita të nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues.