Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Qeverinë për reduktimet e energjisë elektrike dhe i ka bërë thirrje Prokurorisë që të hetojë vonesën në mirëmbajtjen e Bllokut A5.
Ai ka thënë se Qeveria është vonuar të veprojë dhe si pasojë e mosveprimit Kosova po përballet me mungesën e rrymës. Sipas Abdixhikut, një nga blloqet e KEK-ut nuk e ka kryer mirëmbajtjen e rregullt siç parashihet me kohë.
“Kosova nuk ka rrymë sot sepse Blloku A5 i KEK-ut, që prodhon plot 13% të rrymës në Kosovë, nuk ka kryer mirëmbajtjen e rregullt e të paraparë me kohë - prandaj tash e një muaj nuk është në funksion. Një muaj as mirëmbajtje e as prodhim. Dhe do të qëndrojë kështu për shumë kohë sepse Qeveria e Kosovës, sikurse në çdo temë tjetër, është e vonuar të veprojë. Verës pushon, dimrit nisë të mirëmbajë - këso praktike të mbrapshtë nuk njeh asnjë shtet”, shkroi në Facebook kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Abdixhiku theksoi se po humben shumë 78 mijë euro për orë duke u vonuar në veprim.
“Sot, nga 130 MËh në orë, apo 78,000 euro për orë (në pikun energjetik), i humbasim si pasojë e kësaj vonese skandaloze. Madje, gjatë muajve në vijim, kur çmimi i energjisë rritet edhe më shumë, vlera e humbur do të jetë shumë më e lartë se kjo. Kemi kapacitete por s’i kemi në punë. Kjo është e vërteta e reduktimeve të rrymës në verë”.
Sipas Abdixhikut, kjo po bëhet për interesa miliona euroshe, pasi siç tha ai, “përtej neglizhencës së praktikantëve, nuk mund të mendojë asgjë tjetër, veçse një interes madhor që përfiton miliona euro nga tenderet riparuese e nga blerja e energjisë derisa ne nuk prodhojmë”.
Ai i bëri thirrje edhe Qeverisë për shkarkimin e bordeve në KEK e ZRRE.
“Prandaj ftoj Prokurorinë e Kosovës, të hetojë vonesën në mirëmbajtjen e Bllokut A5. Siç dhe ftoj Qeverinë e papërgjegjshme të Kosovës të zgjohet nga gjumi i thellë veror e të bëjë çdo përgatitje të nevojshme për një dimër të vështirë për energjinë - nisur nga shkarkimi i Bordeve partiake në KEK e ZRrE që me paaftësi po krijojnë terr në verë”, theksoi Abdixhiku.