Arbëri

Zenka: Abazoviqit i bie ndër mend që është shqiptar kur i lëkundet karrigia

Deputeti i Kuvendit të Malit të Zi, Mehmet Zenka, ka thënë se kryeministri malazez Dritan Abazoviq nuk ka fare të drejtë të përmend se është shqiptar.

Zenka nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve në Mal të Zi, ka thënë se Abazoviqit po i bie në mend që është shqiptar vetëm kur po i lëkundet karrigia.

Abazoviq në seancën në Kuvendin e Malit të Zi tha se po e rrëzojnë atë vetëm që është shqiptar.

“Abazoviqit i ka ra në mend sot që është shqiptar, i bie në mend që është shqiptar kur i dridhet karrigia. Më së paku të drejtë ka të flasë për atë, një shqiptar që bashkëpunon me partitë serbe, e kam thënë edhe para disa orëve, bashkëpunon me partitë serbe që Kosovën e quajnë shtet terrorist, e vlerat e shqiptarëve i quajnë anti-vlera me fjalë më fyese. Në ato momente nuk është shqiptar, si guxon tash të quhet shqiptar”, ka thënë Zenka në Interaktiv të KTV-së.

Zenka ka thënë se Abazoviq me nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe ka dëmtuar Malin e Zi.

Zenka ka thënë si Union Demokratik i Shqiptarëave duan të shkarkohet Abazoviq pos për Marrëveshjen Themelore edhe për përkrahjen e parezervë të “Ballkanit të Hapur”.

“E shohim këtë si thikë prapa shpine për Malin e Zi dhe për Kosovën”, tha Zenka.