Përmes një shkrese drejtuar kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë së Kosovës, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka kërkuar që me urgjencë të ndërmerren masa ndaj humbjeve që po u shkaktohen bizneseve, si rrjedhojë e ndërprerjeve të vazhdueshme të energjisë elektrike.
Sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, humbjet të cilat po u shkaktohen bizneseve si rrjedhojë e ndërprerjeve të energjisë elektrike është e pamundur të kompensohen, prandaj ka kërkuar nga Qeveria që me urgjencë të ndahet një fond i veçantë për përkrahje të tyre.
“Përveç humbjeve financiare që po u shkaktohen bizneseve nga ndërprerjet e energjisë, të njëjtat gjithashtu po rrezikojnë të humbin edhe tregun e shitjes duke u dëmtuar nga mosrealizimi i kontratave sipas planifikimeve paraprake si dhe nuk po arrijnë të kryejnë obligimet ndaj punëtorëve dhe shtetit”, thuhet në komunikatën e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.
Hapa konkretë në afat të shkurtër ka kërkuar dhoma, duke shtuar se aktualisht vetëm brenda një dite, mosfurnizimi me energji elektrike nga KEDS-i është 4 orë.