Arbëri

Palokaj: Pritet pajtim për të evituar përshkallëzimin në veri më 1 shtator

Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se në takimin e 18 gushtit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, pritet të arrihet pajtim mbi sigurinë në veri të vendit.

Ai tha se palët pritet të pajtohen që të evitohet përshkallëzimi i situatës më 1 shtator, kur të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për reciprocitet për shtetësit e Serbisë. Bëhet fjalë për lëshim të dokumenteve të përkohshme në hyrje të Kosovës, njëjtë siç bën Serbia me shtetasit e Kosovës kur futën në Serbi.

Palokaj në Interaktiv të KTV-së ka thënë se do të flitet edhe për kornizën e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

“Sipas Kurtit, Escobarit dhe Lajçakut, disponimi duket pozitiv dhe pritjet janë që nesër të ketë së paku një pajtim për të evituar eskalimin e situatës në veri më 1 shtator kur Kosova nis masën e reciprocitetit. Escobar përsëriti qëndrimet e SHBA-së se duhet gjetur zgjidhje. Lajçak tha se Kurti dhe Vuçiq janë liderë me mandat të fortë dhe kanë përgjegjësi. Edhe Kurti ishte optimist se mund të gjendet një zgjidhje”.

“Palët paralajmëruan se nesër diskutohet edhe për kornizën e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve”, tha ai.

Sipas Palokajt, takimi i së enjtes ka dy qëllime, uljen e tensioneve mes dy shteteve dhe nga ana tjetër marrëveshjen gjithëpërfshirëse.

“Takimi ka dy qëllimi, prioritet është ulja e tensioneve dhe evitimi që të ketë tensione në fillim të shtatorit. Por, BE-ja edhe para se të ndodhnin tensionet tash kishte planifikuar takim të nivelit të lartë për t’i dhënë dinamikë të re dialogut, sepse dialogu për dy vite nuk ka prodhuar asgjë. Be tash insiston të ketë hapësirë për takime të rregullta mes Kurtit dhe Vuçiq dhe të nisin negociatat për marrëveshje gjithëpërfshirëse”.

Palokaj theksoi se komuniteti ndërkombëtar është i shqetësuar për situatën në rajon dhe ka interes që të ulë tensionet.

“Ka gjithsesi një shqetësim të rritur sepse situata në Ballkanin Perëndimor është e qetë por sic thonë në NATO, është fragjile. Duke pasur parasysh luftën në Ukrainë, përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në rajone, shqetësimi është në rritje. Ka interes nga BE-ja dhe NATO të ulen tensionet dhe që kjo pjesë që është e rrethuar me shtetet e NATO-s të mos ketë eskalim të situatës”, tha Palokaj.

Kurti e Vuçiq do të priten nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe nga Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.