Arbëri

Dy javë pa nisur viti shkollor, MASHTI ende s’e ka filluar furnizimin me tekstet shkollore

Institucionet arsimore të nivelit fillor ende nuk janë furnizuar me tekste shkollore.

Drejtori i shkollës “Emin Duraku” në kryeqytet tregon se porositë për librat shkollorë i kanë dërguar në Drejtorinë Komunale, të cilat janë përcjellë në Ministri të Arsimit që nga muaji qershor.

“Është e vërtetë që viti i kaluar ka pasur disa vonesa, por prapë kemi arritur me evituar mangësitë dhe humbjet, por këtë vit porositja është bërë me kohë në afat më të hershëm optimal dhe kuptohet që ne adresë e kemi Drejtorinë e Arsimit dhe ata kanë Ministrinë e Arsimit, kështu që uroj dhe besoj që të mos ketë vonesa”, u shpreh drejtori Visar Osmani.

Drejtoritë komunale kanë treguar se premtimi i Ministrisë ka qenë që shpërndarja e librave do të fillojë nga mesi i muajit korrik.

Sipas tyre, kjo situatë rrezikon një fillim të mbarë të vitit shkollor.

"Puna e parë që e kemi bërë ka qenë dorëzimi i të gjitha kërkesave të shkollave për tekste shkollore në ministri, por akoma nuk ka lëvizje prej Ministrisë në lidhje me tekstet shkollore edhe pse është premtuar se që nga mesi i muajit korrik do të furnizohen shkollat me tekste shkollore. Kemi pritur që kësaj here do të vijnë më shpejt, por nuk ndodhi, kjo ka mundësi që do të vonohen më shumë se herëve tjera", ka thënë Afrim Llabjani nga Drejtoria e Arsimit në Ferizaj.

Përveç mosfurnizimit me libra, në shkolla thonë se Ministria po ashtu nuk i ka kryer as disa procedura administrative.

"Kemi bërë përzgjedhjen e teksteve shkollore, i kemi përcjellë kërkesat tona, mirëpo ende nuk kanë arritur në shkollë. Po ashtu edhe dokumentet si Kalendari Vjetor dhe ndryshimi i Udhëzimit Administrativ për vlerësimin e nxënësve, që janë të nevojshme për planifikimin vjetor të punës së mësimdhënësve, ende nuk i kemi pranuar”, ka deklaruar Skënder Halimi, drejtor i SHFMU “Hilmi Rakovica”.

E në lidhje me këto Ministria e Arsimit nuk ka kthyer përgjigje.

Tekstet për klasat nga e para deri në të nëntën Ministria i ndan falas tash e disa vjet. Për shkak të keqmenaxhimit në shpërndarjen e librave, procesi mësimor në vitet paraprake është zhvilluar me vështirësi.