Arbëri

Nikaj: Kriza energjetike, rezultat i keqplanifikimit e keqmenaxhimit të Qeverisë

Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj, ka vlerësuar se kriza me energjinë elektrike në vend është kryekëput për fat të Qeverisë.

Nikaj, i ftuar në emisionin “60 Minuta” në KTV të mërkurën, tha se Qeveria ka përgjegjësinë dhe duhet të ndërmarrë masa për kthim të normalitetit.

“Këto janë simptoma paralajmëruese se çfarë do të na presë në dimër. Është rezultat i një keqplanifikimi e keqmenaxhimi gjatë këtyre muajve të verës. Është vera e parë që përballemi me reduktime të energjisë, në vazhdimësi është menaxhuar furnizimi në atë mënyrë që të mos ketë këso situata”, tha Nikaj.

Tha se marrëveshja me KESH-in është e përkohshme dhe nuk e zgjidh problemin. Sipas tij, marrëveshja me KESH-in është e moçme dhe ajo është bërë që Kosova t’ia dorëzojë Shqipërisë gjatë verës rrymën kur ka tepricë të saj, ndërkohë që ta merr atë nga Shqipëria gjatë dimrit kur në këtë vend ka prodhim më të madh shkaku i resurseve ujore.

“Ky parim u thye, është zgjidhje e përkohshme, një zjarrfikje, jo zgjidhje permanente. Na pret dimër i gjatë, do të përballemi me terr, e madje edhe atë që e shpenzojmë do ta paguajmë shtrenjtë”, tha Nikaj.

Ai kritikoi kryeministrin Kurti se po vepron ndryshe nga ajo që ka deklaruar kur në Kuvend është diskutuar për rritjen e çmimit të energjisë.

“Kurti tha se ose do të kemi rritje të tarifave ose reduktime. E tash kemi edhe reduktime edhe rritje të tarifave”, ka thënë ai.

Ai ka kërkuar nga Qeveria që fushatën për kursim të energjisë ta fillojë nga institucionet publike.

“A e dini sa kompjuteri në institucionet publike nuk fiket, ka numër enorm të institucioneve. Qeveria nga aty duhet të fillojë me kursim të energjisë”, u shpreh ai.