Arbëri

Ministria e Ekonomisë vuri në lajthitje qytetarët, rikthehen reduktimet

Descriptive Text

Njoftimi i Ministrisë së Ekonomisë i një dite më parë, që thotë se falë bashkëpunimit me Shqipërinë janë evituar reduktimet dhe është kthyer furnizimi i rregullt me rrymë, i ka vënë në lajthitje qytetarët.

Kjo pasi të martën ata janë përballur sërish me reduktime të energjisë elektrike.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se furnizimi është duke u bazuar vetëm nga prodhimi vendor dhe se nuk ka para që të blihet energji në tregjet ndërkombëtare.

“Aktualisht kufizimet parashihen të jenë 2 orë pa energji elektrike dhe 6 me energji. Alternativa e kursimit të energjisë duhet të aplikohet. Gjithashtu duhet që çmimi të reflektojë koston dhe të ketë infuzion financiar për sistemin elektroenergjetik. Dihet se ishin planifikuar të jepen 90 milionë euro, porse ato para nuk janë dhënë asnjëherë dhe kjo e ka zhytur në kolaps sistemin elektroenergjetik”, tha Buzhala.

Por, nga KEK-u kanë bërë të ditur se edhe gjatë të martës nga ora 10 kanë siguruar nga 100 megavat për orë.

“Përkundër faktit se përgjegjësia për furnizimin e konsumatorëve universalë (FSHU) sipas licencës është ekskluzivisht e furnizuesit publik, KEK falë edhe bashkëpunimit të ndërsjellë me KESH-in, nga sasia e depozituar (mbi 120.000 MW/h), e cila ishte paraparë t’i kthehet Kosovës gjatë sezonit dimëror, ka arritur të sigurojë energji elektrike për orë të caktuara (në kohë të pikut) kur konsumi vendor në Kosovë po shënon ngritje”, thuhet nga KEK.

KEK-u ka bërë të ditur se ka kërkuar nga KESH, që bazuar në kapacitetet që kanë në dispozicion, kjo gjendje të vazhdojë edhe në ditët në vijim, apo deri sa akterët përgjegjës t’i përmbushin obligimet e tyre sipas licencës.

Aktualisht KEK-u është duke prodhuar mbi 500 megavate, ndërsa kërkesa për konsum është deri në 750 megavate.

Çmimi i një megavati në bursat ndërkombëtare gjatë të martës ishte mbi 500 euro, ndërsa KEDS-i furnizohet nga KEK-u me çmim prej 30 eurosh për megavat.

Burime të KOHËS brenda KEK-ut kanë bërë të ditur se gjatë natës kjo ndërmarrje ka depozituar rreth 800 megavate në KESH.

Ndërsa Ministria e Ekonomisë përkundër insistimit të KOHËS nuk është përgjigjur për reduktimet që kanë ndodhur të martën.

Më pas në një komunikatë për media i është kthyer sërish çështjes së humbjeve në rrjet, duke paralajmëruar masa për ata që vjedhin rrymën.

“Ne jemi duke ndërmarrë masa për të dhënë ndihmën e duhur në ndërprerjen e përdorimit të paautorizuar të energjisë elektrike së bashku me organet ligjzbatuese dhe kompaninë e distribuimit të energjisë elektrike, KEDS, e cila e ka për detyrë, sipas kontratës së privatizimit, që t’i ndalë ato. Këto vjedhje të energjisë elektrike, jo vetëm që janë vepra penale sipas Kodit Penal, por tashmë janë një kosto e papërballueshme që duhet të paguhen nga paratë e të gjithëve nëse nuk ndalen”, tha Ministria e Ekonomisë.

Nga KOSTT-i kanë paralajmëruar se mund të ketë kufizime varësisht nga ngarkesa në rrjetin energjetik.

“Programet e kufizimit të konsumit mund të dallojnë nga dita në ditë, në varësi nga ngarkesa dhe sigurimi i energjisë elektrike për mbulimin e konsumit nga operatorët përgjegjës në treg KESCO/KEDS dhe KEK”, tha KOSTT.

Shkaku i mosmenaxhimit të mirë me energjinë elektrike, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Albin Kurti që të tërhiqet nga posti i kryeministrit.

“Mendoj që është koha edhe ai ta vlerësojë seriozisht tërheqjen nga përgjegjësia e vet...Çështja e reduktimeve shihet që është menaxhim i keq i kësaj Qeverie, të kesh reduktime në gusht është diçka detyrimisht faji dihet ku është, është kjo Qeveri, paaftësia e kësaj Qeverie që na shqetëson pastaj kur të hymë në dimër”, tha Haradinaj.

Të martën, KEDS-i ka filluar takimet intensive me institucionet për kursim të energjisë. Ka takuar zyrtarë të Komunës së Prishtinës dhe Gjilanit.