Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, është takuar me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Pas takimit, Haradinaj ka thënë se bashkë me Begajn, kanë diskutuar tema të ndryshme.
Ai ka thënë se ndër të tjera kanë folur edhe për një pakt të përbashkët në mbrojtje dhe për çështje të sigurisë.
“Po ashtu kërkuam që shqiptarët kudo që janë të pajisen me shtetësi të Kosovës. Nga Shqipëria kërkojmë që të ndihmojë në arritjen e një marrëveshje me Serbinë, për njohje reciproke”, ka thënë ai.
Duke folur për dialogun, Haradinaj ka thënë se NATO e prirë nga Amerika nuk e lejon destabilizimin e Ballkanit.
Ai ka thënë se ka retorikë false nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Halli është me e mbulu marren me një marrëveshje për mossulmim nga kryeministri Kurti”, ka thënë ai.
Derisa ka komentuar situatën me energji elektrike, ai ka thënë se i ka paraparë rreziqet, duke shtuar se gjithashtu ka paraparë “katastrofë në këtë qeveri”.
“Është një dështim i qeverisë. Çështja e reduktimeve shihet që është menaxhimi i keq i kësaj qeverie”, ka thënë ai.
Begaj po qëndron në Kosovë nga e hëna, në vizitën e tij të parë zyrtare pas marrjes së detyrës së presidentit.
Ai është pritur me nderime shtetërore nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën ka zhvilluar edhe takim.
Përveç Osmanit, Begaj ka takuar edhe kreun e ekzekutivit, Albin Kurti.
Gjatë qëndrimit në ditën e parë në Prishtinë, presidenti i Shqipërisë ka deklaruar se të dy vendet ndajnë aspiratat e njëjta drejt rrugës evropiane.
Ai ka thënë se Shqipëria e mbështet Kosovën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ndërsa ka theksuar se do të jetë zëri i Kosovës aty ku i jepet mundësia.
Gjatë së hënës, presidenti i Shqipërisë ka bërë homazhe pranë varrit të ish-presidentit, Ibrahim Rugova si dhe familjes Jashari në Prekaz.
Pas takimit me Haradinajn, Begaj është takuar me Erxhan Galushin, ndonëse takimi ishte planifikuar me përfaqësues të të gjitha komuniteteve.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar sot, Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Krasniqi, ka përgëzuar Begajn për hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke shprehur besim se ky vendim i BE-së, pas shumë vonesave, ka kthyer vëmendjen kah Ballkani Perëndimor.
Sipas një komunikate për media, Begaj nga ana e tij ka vlerësuar lart angazhimin shtetformues e shtetndërtues të PDK-së, të liderëve të saj si dhe gatishmërinë e tij dhe të Republikës së Shqipërisë për proceset jetike të Kosovës me qëllim të fuqizimit të shtetësisë, demokracisë dhe proceseve integruese euro-atlantike.
Njoftohet se Krasniqi ka falënderuar shtetin shqiptar për adresimin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, me kërkesë për të rishikuar rezolutën e KE-së për raportin e ish-senatorit Dick Marty.
Begaj ka vizituar edhe Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit duke e përmbyllur qëndrimin e tij në Kosovë.