Pas rritjes së normave të interesit nga Banka Qendrore Evropiane, edhe Banka Qendrore e Kosovës ka paralajmëruar një rritje të tillë. Por, për dallim nga bankat evropiane, të cilat që nga viti 2014 kanë vepruar me norma negative të interesit, bankat komerciale në Kosovë kanë normat më të larta në rajon. Ekonomistët e fajësojnë BQK-në që nuk ka marrë asnjë veprim në raport me normat e interesit, e as për stabilizim të çmimeve, për çka thonë se e ka obligim
Qytetarët e Kosovës pritet që të përballen me rritje të normave të interesit për kredi të reja. Rritja do t’i prekë edhe qytetarët që kanë marrë kredi me interes të ndryshueshëm.
Një rritje e normës së interesit nga Banka Qendrore Evropiane ka mjaftuar që Banka Qendrore e Kosovë të paralajmërojë për ndryshim të normave, duke thënë se kjo rritje do të afektojë indirekt kostot e mbajtjes së likuiditetit dhe kostot e financimit në vend.
Por bankat evropiane që nga 2014 kanë vepruar me norma negative të interesit, ndërsa në Kosovë interesi është rreth 6 për qind, që është më i larti në rajon.
“Rritja e inflacionit në nivele të papara në dekadën e fundit ka ndikuar që BQE-ja të sinjalizojë për vendimin potencial të rritjes së normave të interesit në mbledhjen e Këshillit në korrik 2022. Ndryshimet në normat e interesit në BQE do të afektojnë indirekt kostot e mbajtjes së likuiditetit dhe kostot e financimit në vend. Për më tepër, përkundër normës së lartë të likuiditetit në nivel sektori, shumica e bankave kanë shënuar rënie të raportit të likuiditetit nga viti i kaluar, ndër të cilat disa me rënie më të theksueshme”, ka thënë BQK-ja.
Sipas Edison Jakurtit, doktorant i ekonomisë, BQK-ja asnjëherë nuk ka ndërhyrë për t’i përafruar normat me vendet e rajonit, dhe me deklarimet e fundit ka treguar se sillet si një spektatore.
Ka thënë se BQK-ja do të mund të lëvizte normën e rezervës minimale që do të ndikonte në uljen e interesit.
“Njëra prej arsyeve që ndoshta Banka Qendrore nuk e ka lëvizur normën e rezervave minimale që po e përmendi unë është për shkak se nëse nuk kish me luajt norma e interesit pasi ta lëvizin këta normën e rezervës minimale, atëherë kjo nënkupton se nuk kemi konkurrencë në tregun e bankave, dhe kjo nënkupton se kemi oligopol ose kartel që mendoj që shumica e ekonomistëve në Kosovë e supozojnë diçka të tillë”, ka deklaruar ai.
Jakurti ka theksuar se BQK-ja nuk ka ndërmarrë asnjë veprim në raport me inflacionin dhe se ky mosveprim ka shkelur ligjin, pasi që nuk ka përmbushur obligimin për stabilizimin e çmimeve.
Ndërsa profesoresha e ekonomisë, Albulena Kastrati, tregon arsyet pse mund të rriten normat e interesit.
“E para, për shkak se është rritur euribori, që do të thotë se automatikisht sidomos ato kredi që janë me norma të interesit variabile do të afektohen, dhe e dyta dhe më e rëndësishmja është që inflacioni në Kosovë është rritur dyfish më shumë sesa normat aktuale të interesit në kredi, që do të thotë se aktualisht qytetarët po përfitojnë për shkak se po paguajnë norma të interesit me kredi negative, ndërkohë që bankat po humbin”, ka thënë Kastrati.
Në Kosovë veprojnë 11 banka komerciale dhe vlera e kredive në to ka arritur në 4 miliardë euro.
Vetëm gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti vlera e kredive të reja është mbi 800 milionë euro.