Arbëri

Përfundon kampanja, organizatorët thonë që kanë garanci se shamia në shkolla do të lejohet

Është shpallur e përfunduar kampanja e nisur në rrjetet sociale për ndryshim të udhëzimit administrativ, me të cilën është bërë thirrje që të lejohet bartja e shamisë në shkolla. Siç kanë thënë organizatorët, kampanja është marrë seriozisht dhe ka garanci që dispozita që e ndalon bartjen e elementeve fetarë në institucione arsimore do të hiqet para fillimit të vitit të ri shkollor.

Peticioni online ka marrë mbi 20 mijë nënshkrime. Sipas organizatorëve Liridon Kurti e Durim Berisha, nga këto nënshkrime, 45 për qind prej tyre janë të grave.

“Njoftojmë opinionin publik se pas konfirmimit se kërkesa për anulim të nenit 3 paragrafi 1.13 të Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014 është marrë seriozisht dhe garancive që kjo dispozitë do të fshihet para fillimit të vitit të ri shkollor, kampanja #ndryshojeni_ua_për_shaminë shpallët e përfunduar”, thuhet në njoftimin e tyre. “Ju sigurojmë se në rast se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nuk përmbush detyrimin ligjor, ashtu si ka premtuar se do ta bëj, do të shfryzëtojmë mjetet juridike në fuqi për të siguruar ligjshmërinë”.

Nëpërmjet hashtagut #ndryshojeni_ua_për_shaminë në vend kampanja për lejimin e shamive në shkolla shkaktoi debat të gjerë. Në të u përfshi edhe kryeministri Albin Kurti që në konferencë për media u shpreh se është pro që çdo vajze mbi 16-vjeçare t’i lejohet bartja e shamisë.