Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zhan Mitrev hetohet për veprën penale “mashtrim”, rrezikon 10 vjet burg

Mitrevi, pronar i spitalit privat të kardiologjisë “Zhan Mitrev” në Shkup, sipas njoftimit nga Prokuroria Publike në Maqedoninë e Veriut, gjatë periudhës kohore nga prilli i vitit 2020 deri në vitin 2022, me qëllim të përfitimit të mjeteve financiare, i ka mashtruar pacientët, të cilët ishin duke u trajtuar për COVID-19 me metodën e hemofiltrimit. Në rast se zyrtarizohet akuza dhe ai shpallet fajtor, në bazë të dispozitave të Kodit Penal, Mitrevi mund të dënohet deri me 10 vjet burg

(REL) – Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka njoftuar të premten se ka marrë vendimin për nisjen e hetimeve kundër Zhan Mitrevit, pronarit të Spitalit privat të kardiologjisë, nën dyshimin se ka kryer vepër penale të mashtrimit, sipas neni 247, paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 1, të Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut, ka raportuar Radio Evropa e Lirë.

I dyshuari, sipas njoftimit nga Prokuroria Publike, në periudhën nga prilli i vitit 2020 deri në vitin 2022, Mitrevi me qëllim të përfitimit të mjeteve financiare i ka mashtruar pacientët, të cilët ishin duke u trajtuar për COVID-19 me metodën e hemofiltrimit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në rast se zyrtarizohet akuza dhe ai shpallet fajtor, në bazë të dispozitave të Kodit Penal, Mitrevi mund të dënohet deri me 10 vjet burg.

Vendimi i Prokurorisë është marrë pas një hulumtimi të rrjetit IRL nga Maqedonia e Veriut, i cili ka ngritur dyshime për trajtimin joadekuat të dhjetëra pacientëve në “Zhan Mitrev”, që kanë përfunduar me fatalitete.

Sipas këtij hulumtimi, dyshohet se pacientët që kanë pësuar i janë nënshtruar filtrimit të gjakut, si pjesë e një eksperimenti.

Ky trajtim, sipas hulumtimit nga IRL-ja, ka infektuar dhjetëra pacientë “me baktere vdekjeprurëse”, ndërsa Spitali e ka aplikuar pa leje nga Agjencia shtetërore për Medikamente dhe Pajisje Mjekësore.

Prokurori publik kompetent, duke marrë parasysh rrethanat, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit propozimin për caktimin e masës së sigurisë për të dyshuarin, konfiskimin e dokumenteve të tij të udhëtimit, si dhe të dokumenteve të tjera për kalimin e kufirit shtetëror.

“Kjo masë është propozuar për shkak të domosdoshmërisë për të siguruar praninë e të dyshuarit dhe mbarëvajtjen e procedurës hetimore”, është bërë e ditur në njoftimin nga Prokuroria Publike në Shkup, ka raportuar Radio Evropa e Lirë.

Kallëzime penale kundër spitalit privat të kardiokirurgjisë "Zhan Mitrev" në Shkup kanë ngritur edhe tetë familje, të cilat kanë humbur të afërmit e tyre. Në mesin e tyre është edhe familje nga Prishtina, i biri i të cilës kishte vdekur në këtë Spital në dhjetorin e vitit të kaluar, pasi që i është nënshtruar metodës së trajtimit me filtrimin e gjakut, të kryer në mënyrë joadekuate.

Nga trajtimi i tillë besohet të kenë humbur jetën 24 persona.