Arbëri

Kurti: Vlera e konfiskimeve dhe sekuestrimeve është rritur për dy herë e gjysmë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se këtë vit konfiskimet dhe sekuestrimet janë rritur për dy herë e gjysmë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në një konferencë për media pas një vizitë në Doganën e Kosovës, Kurti ka thënë se vlera e konfiskimeve dhe sekuestrimeve për këtë vit ka shkuar në 5 milionë, nga 2 milionë sa ishte një vit më parë.

“Derisa vitin e kaluar kemi pasur konfiskime dhe sekuestrime në përmasën prej 2 milionë euro, sivjet kemi 5 milionë euro. Dy herë e gjysmë është rritur konfiskimi e sekuestrimi për periudhën e njëjtë në këtë vit në krahasim me periudhën e kaluar”, ka thënë Kurti.

Sipas tij Policia e Kosovës dhe Doganat janë thelbi i sigurisë publike të shtetit.

Ai po ashtu ka përmendur se janë rritur edhe të hyrat në Dogana këtë vit për 14% në krahasim me vitin e kaluar.

“Një studim i BB-së ka treguar që edhe koha e zhdoganimit ka përmirësim te madh në vlerën 36% për import dhe për eksport dhe kjo është tejet e rëndësishme për investitorët e huaj”, është shprehur Kurti.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kapjet e produkteve të kontrabanduara janë bërë të përditshme dhe kjo sipas tij është bërë mesazh për kontrabanduesit se sa pësojnë nga veprimet e tyre.

“Siç e keni parë tashmë zëniet e produkteve të kontrabanduara, kapjet, konfiskimet janë bërë çështje pothuajse e përditshme ndërsa në të kaluarën rrallëherë është dëgjuar për to. Kjo është mesazh për ata që provojnë të bëjnë kontrabandë, se tash nuk është e mundur, se ju kushton shumë më shtrenjtë sesa të kalojnë nëpër kanalet zyrtare. Kjo vërehet dhe ka rezultate konkrete”.

Murati tha se shumë shpejt do të kthehen në funksion terminalet doganorë siç kanë qenë dikur, që “do të funksionojnë në shërbim të bizneseve dhe do ulin kostot për qytetarët”.

Pas kritikave për mungesë rishikimi të buxhetit, ai tha se rishikimi është mundësi por jo kërkesë ligjore, megjithëse tha se janë duke monitoruar situatën me organizatat buxhetore por bëri të qartë se asgjë nuk mund të bëhet pa fillimin e punës së Kuvendit.