Arbëri

Komunitetet joshumicë kërkojnë ndaljen e abuzimit me kuota për regjistrim në universitete

Elbert Krasniqi, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, ka theksuar se abuzimet nuk duhet të kalojnë të paadresuara nga Qeveria dhe nga organet e drejtësisë, ndërsa ka kërkuar përndjekjen penale të të gjithë personave të dyshuar për abuzim me kuota

Shqetësime rreth abuzimit me kuotat për regjistrimin e komuniteteve joshumicë nëpër universitete kanë adresuar të martën përfaqësues të komunitetit boshnjak, turk e egjiptian.

Në takimin “Arsimi i komuniteteve joshumicë në Republikën e Kosovës”, të organizuar në Qeveri, është kërkuar zgjidhje për problemin, teksa për abuzimin janë fajësuar aplikuesit shqiptarë për pranim në universitete.

Enis Kervan, deputet nga radhët e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) dhe udhëheqës i Grupit Parlamentar Multietnik, ka theksuar abuzimin me kuota në Fakultetin e Mjekësisë.

“Kemi edhe probleme në kuadër të universiteteve publike, sidomos në kuadër të Universitetit të Prishtinës, veçmas në Fakultetin e Mjekësisë, që prapë vazhdojnë keqpërdorimet kur është çështja e vetëdeklarimit të studentëve. Krejt e dimë se është e rregulluar me udhëzim administrativ, por vazhdojnë këto keqkuptime e keqpërdorime”, ka bërë të ditur Kervan.

I pranishëm në takim, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka theksuar se abuzimet nuk duhet të kalojnë të paadresuara në Qeverisë dhe në organet e drejtësisë. Krasniqi ka kërkuar, po ashtu, përndjekjen penale të të gjithë personave të dyshuar për abuzim me kuota.

“E keni parasysh atë lojën e pingpongut dhe udhëzimin administrativ, ku është pak lojë e pingpongut. Kam pasur takim me Fakultetin e Mjekësisë, ku e kam ngritur këtë shqetësim edhe me ta, që potencialisht këto kuota edhe tani janë duke u keqpërdorur. Për momentin…mbetet një deklarim i lirë, por jemi të angazhuar me kompetencat tona dhe duke i shfrytëzuar krejt instrumentet e tjera që t’i verifikojmë. Mirëpo është momenti i fundit ta kuptojmë të gjithë së bashku që një qeveri si kjo e jona, aktuale, ku në fokus është drejtësia, nuk mund të ketë hapësirë as në universitete e as në institucionet e tjera që të kalojë një tentim i keqpërdorimit të kuotës për komunitete sikur asgjë s’ka ndodhur”, ka thënë Krasniqi.

Ai është zotuar se do të përkujdeset që përndjekja penale e rasteve të jetësohet.

KOHA pati raportuar gjatë muajit korrik mbi dyshimet për abuzime me kuota në regjistrimin e studentëve nga radhët e komuniteteve. Burime të KOHËS kishin ngritur alarmin se aplikuesit shqiptarë po bëjnë përpjekje që t’i zënë vendet e rezervuara për studentë të komuniteteve joshumicë. Asokohe, nga Fakulteti i Mjekësisë ishte bërë e ditur se kërkesat për regjistrim bazohen në vetëdeklarimin e përkatësisë etnike të aplikuesve.

Gjatë takimit të së martës është potencuar se me sfidat më të mëdha në rrafshin e arsimit në Kosovë ballafaqohen nxënësit nga radhët e komuniteteve rom, ashkali e egjiptian.

Emilija Rexhepi, zëvendëskryeministre e tretë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, ka bërë të ditur se edhe nxënësit nga komuniteti boshnjak dhe ai turk nuk kanë qasje të barabartë në beneficionet financiare të garantuara nga shteti.

Ajo ka kërkuar që në mungesë të programeve universitare në gjuhën boshnjake dhe atë turke, studentë të këtyre komuniteteve që detyrohen të studiojnë jashtë vendit të ndihmohen me nga 100 euro në muaj nga Qeveria.

“Është angazhim personal i imi që studentët boshnjakë, turq e të tjerë që studiojnë jashtë territorit të Kosovës t’i ndihmojmë me nga 100 euro në muaj, ashtu si mbështeten studentët shqiptarë nga Presheva, Bujanoci, Maqedonia e Veriut, Shqipëria e Mali i Zi, të cilët studiojnë në Kosovë. Mendoj që në këtë kuptim jemi të diskriminuar dhe kam diskutuar me kryeministrin Kurti për ta përfshirë një linjë në Ministri të Financave që lidhet me mbështetjen e studentëve”, ka thënë Rexhepi.

Pabarazi Rexhepi ka thënë se ka edhe në aspektin e kompensimit të autorëve të librave shkollorë për komunitetet. Ajo ka kërkuar që kompensimi të mos jetë më i ulët sesa ai për autorët e librave ekuivalentë në gjuhën shqipe.

Si kërkesë, Rexhepi ka adresuar nevojën që në universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti” të hapen drejtimi i administratës në gjuhën boshnjake, si dhe ai i ekonomisë në gjuhën turke.

Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.