Arbëri

Punëtorët shëndetësorë njoftojnë Kurtin për sfidat, kryeministri zotohet për bashkëpunim

Përfaqësues të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë e kanë njoftuar kryeministrin Albin Kurti për sfidat me të cilat përballen profesionistët shëndetësorë në punën e përditshme, thuhet në një njoftim të Qeverisë për takimin që Kurti pati me kryetaren e FSSHK-së, Tevide Imeri, të martën. Sipas njoftimit, Kurti është shprehur i gatshëm për thellim të bashkëpunimit me FSSHK-në.

Në njoftim thuhet po ashtu se bashkëpunimi në përmirësimin e pozicionit të punonjësve shëndetësorë përmes dialogut social ishte në qendër të takimit.

“Në këtë takim u dakorduan që komunikimi do të jetë i vazhdueshëm, me qëllim të ngritjes së nivelit të shërbimeve shëndetësore dhe sigurimit të punës me dinjitet për profesionistët shëndetësorë”, thuhet në njoftim.

Në prill, FSSHK-ja pati kërkuar rritje pagash prej 50 për qind deri në miratimin e Ligjit të Pagave dhe pjesëmarrje në grupin punues për hartimin e Ligjit të Pagave.

Imeri pati marrë detyrën e kryetares së sindikatës në fund të atij muaji.