1 perditesime
Arbëri

IPK-ja i kundërpërgjigjet Sindikatës: Fuqizimi i integritetit policor duhet të përkrahet nga të gjithë

IPK-ja i kundërpërgjigjet Sindikatës: Fuqizimi i integritetit policor duhet të përkrahet nga të gjithë
18:19

IPK-ja i kundërpërgjigjet Sindikatës: Fuqizimi i integritetit policor duhet të përkrahet nga të gjithë

Inspektorati Policor i Kosovës i është përgjigjur Sindikatës së Policisë që nëpërmjet një komunikate për media të martën deklaroi se IPK-ja ka arrestuar policë, pa pasur prova. IPK-ja ka thënë se operacioni në fjalë ka qenë ndër më të suksesshmit në luftimin e korrupsionit.

“Të gjitha veprimet në kuadër të këtij hetimi janë ndërmarrë sipas udhëzimeve dhe në koordinim të plotë të Prokurorisë së Shtetit, duke përfshirë edhe arrestimet e secilit prej tyre. Sigurisht që për këtë rast ka prova dhe të njëjtat janë dorëzuar në Prokurorinë Speciale, ashtu siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale. Sidoqoftë provat nuk mund tua prezantojmë Sindikatës së Policisë. Shumica e veprimeve inkriminuese të zyrtarëve policorë të dyshuar në këtë rast janë të dëshmuara më zë dhe figurë. Është kompetencë e prokurorit të vlerësoj dhe vendos më tutje vazhdimin e procedurave penale për secilin prej të dyshuarve në këtë rast. IPK siç parashihet edhe me Kodin e Procedurës Penale u ka dhënë mundësinë dhe të gjithë të dyshuarit në këtë rast janë mbrojtur dhe mbrohen nga avokatet e tyre sipas procedurës”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Ky institucion ka thënë se është i shqetësuar për nivelin e korrupsionit në Polici. Është zotuar për të shtuar intensitetin e luftës ndaj fenomenit. “Besojmë fuqishëm që edhe Policia e Kosovës e ka këtë synim dhe e mbështet IPK-në siç e ka bërë deri tani në këtë mision të rëndësishëm për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës. Duke i falënderuar të gjithë qytetarët për bashkëpunim, IPK beson se fuqizimi i integritetit policor është mision i përbashkët dhe duhet të përkrahet nga të gjithë”, përfundon përgjigja e IPK-së.

15:47

Sindikata e Policisë: IPK-ja arrestoi policë pa prova

Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar për arrestimet e zyrtarëve policorë që janë bërë nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK). Sipas një komunikate për media, vërejtjet dhe kërkesat e Sindikatës së Policisë kanë qenë që IPK-ja të mos bëjë veprime spektakulare dhe të gjitha veprimet e IPK-së të jenë profesionale dhe arrestimet të bëhen duke siguruar prova të qëndrueshme para veprimeve të tyre.

“Sindikata e Policisë së Kosovës, arrestimet e fundit në pikat kufitare, i konsideron të papranueshme për faktin se, zyrtarët policorë janë trajtuar si kriminelë dhe janë akuzuar për vepra kriminale, pa siguruar prova për veprat e pretenduara nga IPK-ja, këtë që po e themi e vërteton edhe Vendimi me nr.PPS nr. 13/2022, me numër të lëndës 2022:0018374, i lëshuar me datë 02.08.2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, për ndërprerjen e hetimeve ndaj tre zyrtarëve policorë të përfshirë në këto arrestime. Ky vendim e konfirmon shqetësimin tonë të shprehur në vazhdimësi se arrestimet e zyrtarëve policorë po bëhen me nguti, pa siguruar prova dhe pa i shterur të gjitha mundësitë e parapara sipas Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së Policisë.

Sindikata e Policisë së Kosovës u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve të drejtësisë, e në veçanti IPK-së që t’i ndalë të gjitha veprimet e ngutshme, spektakulare dhe të kundërligjshme.