Arbëri

Kurti: Pas dhjetë vjet bllokimi, Kuvendi po bëhet me Rregullore të re shumë të avancuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kuvendi i Kosovës ka kaluar testin e demokracisë dhe se pas dhjetë vjet përpjekjesh është miratuar Rregullorja e re e Punës.

Më 28 korrik me 81 vota për u votua Rregullorja e re, ndërsa ka hyrë në fuqi sot pasi është publikuar në Gazetën Zyrtare.

“Jam i lumtur që në mandatin tonë, pas 10 vjet bllokimi, Kuvendi po bëhet me Rregullore të re shumë më të avancuar. Më 28 korrik u votua me 81 vota PËR, andaj sot ajo hyn në fuqi meqë publikohet në Gazetën Zyrtare. Miratimi i Rregullores vjen pas një përpjekje të gjatë të Kuvendit të Kosovës për të rishikuar rregullat e funksionimit të institucionit më të lartë. Procesi i rishikimit të Rregullores kishte filluar në vitin 2012 dhe kishte vazhduar në secilën legjislaturë, me qëllim të adresimit të problemeve të identifikuara që nuk funksiononin, por që pavarësisht nevojës e përpjekjeve, miratimi i saj nuk kishte ndodhur. Miratimi gjithmonë ka qenë një sfidë politike për Kuvendin, për shkak se për miratimin e saj kërkohej një shumicë e kualifikuar e së paku 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Kjo kërkonte një koncensus të gjerë të spektrit politik të përfaqësuar në Kuvend. Për nga mënyra e votimit, Rregullorja e Kuvendit hyn në kategorinë e akteve më të rëndësishme të shtetit që miratohen nga Kuvendi, siç janë Kushtetuta dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Kjo ishte një përpjekje pothuajse 10 vjeçare, për të cilin punuan shumë deputetë, partnerë ndërkombëtarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile për disa legjislatura me radhë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti ka thënë se me Rregulloren e re përmirësohet edhe puna e Kuvendit dhe avancimi tutje i parimeve dhe standardeve demokratike të parlamentarizmit.

“Është përkushtim i yni politik që në Kuvendin e Republikës, publikja të marrë formën e vet më të lartë si parakusht i çdo dimensioni të ushtrimit të demokracisë direkte apo përfaqësuese. Në këtë drejtim, të gjithë bashkë duhet të angazhohemi që niveli i punës së Kuvendit dhe i llogaridhënies në Kuvend të kthehet në shembull të përgjegjshmërisë së lartë të të zgjedhurve, ndaj qytetarëve të Republikës e interesit publik”, ka shkruar Kurti.