Arbëri

Krasniqi: Albin Kurti me inate politike po i vë komunat e Kosovës buzë kolapsit

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kritikuar kryeministrin, Albin Kurti, duke thënë se po bllokon buxhetet dhe projektet investive të komunave të Kosovës.

Krasniqi përmes një postimi në Facebook ka thënë se qeveria Kurti me qëllim po e zvarrit realizimin e shumë projekteve në interes të qytetarëve të Kosovës.

“Vetëm një kryeministër që funksionon mbi imagjinata paranoike e me inate politike, si Albin Kurti, ka komoditetin t’i vë qytetarët dhe komunat e Kosovës buzë kolapsit, duke bllokuar buxhetet dhe projektet investive të tyre. I humbur në rrëmujën e paaftësisë qeverisëse, pa plan e pa kompetencë, kryeministri Kurti në vend që të merret me përmirësimin e jetës së qytetarëve, për çka e kanë votuar, ai nga njëra anë po i bllokon të gjitha projektet e komunave, duke mos ua ndarë buxhetin e nevojshëm dhe nga ana tjetër po flet për luftë”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas tij, nëse Qeveria nuk e merr parasysh kërkesën e Asociacionit të Komunave të Kosovës për ta lëshuar Qarkoren e dytë Buxhetore sa më parë para datës 1 shtator, në afatin e paraparë kur komunat duhet ta dorëzojnë buxhetin për miratim në Kuvendet e Komunave, ajo me qëllim, siç thuhet, po e zvarritë realizimin e shumë projekteve në interes të qytetarëve anekënd Kosovës.

“Kryeministri Kurti dhe ministrat e tij duhet ta ndërrojnë këtë qasje. Zgjedhjet kanë përfunduar dhe kryetarët e komunave qeverisin njëjtë për të gjithë qytetarët e tyre, pa dallim. Jo si kjo Qeveri që u shërben vetëm klientelës, familjarëve e përkrahësve të tyre!”, pëfundon postimi i Krasniqit.