Arbëri

Komunat rrezikojnë të mbesin pa buxhet, AKK-ja i kërkon veprim urgjent Muratit

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka kërkuar urgjentisht nga ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, të lëshojë Qarkoren e dytë Buxhetore, pasi sipas këtij bordi, komunat e Kosovës po rrezikojnë të mbesin pa buxhet.

Në komunikatën e lëshuar nga AKK-ja, thuhet se lëshimi i kësaj qarkoreje do t’iu mundësojë komunave që të fillojnë procesin final të planifikimit buxhetor.

“Si proces është shumë i vonuar dhe i rrezikon komunat që mos të kenë mundësi teknike që ta dorëzojnë buxhetin me kohë pranë Kuvendeve të Komunave, me saktësisht më datën 1 shtator që është obligim ligjor që buxheti t'i dorëzohet Kuvendit të Komunës. Pa Qarkoren e Dytë Buxhetore, Komunat nuk i dinë as kufijtë përfundimtarë buxhetorë si organizata buxhetore dhe kjo pamundëson direkt dorëzimin e Buxhetit në Kuvendin e Komunës”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, bëhet e ditur se mosdorëzimi i buxhetit më datë 1 shtator i kushton komunave me humbje të pikëve në Raportin e Performancës, “dhe si i tillë i penalizon komunat nga përfitimet financiare nga granti i performancës”.