Arbëri

Çitaku: S’do të ketë luftë në Kosovë, mos ndillni frikë e panik

Descriptive Text

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka bërë thirrje të hënën që të mos ndillet frikë dhe panik, pasi sipas saj nuk do të ketë luftë në Kosovë.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Çitaku ka thënë se NATO-ja është garantuese e sovranitetit të Kosovës dhe se Serbia është në dijeni se çka sjellë një konflikt i hapur me NATO-n.

“Ka pasur luftë në Kosovë para 23 vitesh. Disa prej nesh kemi qenë të rritur dhe kemi pasur mundësinë me luftuar atëherë. Ndërkohë, Serbisë sot më së shumti i konvenon status quo-ja, dhe mundësisht të flasë për stikersa dhe barrikada. Lufta konvencionale ka përfunduar. Tash betejat janë të një natyre tjetër”, ka shtuar ajo.

Ky reagim i Çitakut ka ndodhur pak orë pasi u raportua se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë për gazetën italiane “La Repubblica” se ekziston rreziku për një konflikt të ri mes Kosovës dhe Serbisë.

“Rrezikojmë luftë. Pas Serbisë është Putini. Nuk do të thosha se rreziku është shumë i madh, sepse ne kemi edhe një kontingjent të NATO-s këtu, por sigurisht që është i lartë. Ne jemi një demokraci që kemi një autokraci në kufij”, ka thënë Kurti.