Arbëri

Rusja e akuzuar nga disa vende për spiunazh arrestohet nga Policia e Kosovës

Descriptive Text

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se sot në pikëkalimin kufitar në veri i është ndaluar hyrja ruses Daria Aslamova, për të cilën shumë shtete kanë thënë se ajo është angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar nën petkun e gazetares.

Për, Radio Evropën e Lirë ai ka njoftuar se Aslamova është arrestuar. 

“E njëjta ka marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë duke propaganduar”, ka shkruar Sveçla për Aslamovan në Facebook. “Autoritetet e Republikës së Kosovës kanë qenë në dijeni për veprimtarinë e saj, por edhe se në disa shtete ajo e ka të ndaluar të hyjë shkaku i veprimtarisë së saj. Me këtë rast, ajo është ndaluar dhe po vazhdon angazhimi i akterëve përkatës deri në zbardhjen e qëllimeve të saj”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Sveçla ka thënë se tentimi i Aslamovas për të hyrë në Kosovë vjen një javë pas tensioneve të shkaktuara në veri.

“Tentimi i saj për të hyrë në vendin tonë përveç që pëkon me zhvillimet në veri të vendit, i dëshmon qartë lidhjet dhe propagandën ruse të cilës i është bashkuar tashmë Serbia dhe që ka qenë për qëllim destabilizimi i vendit tonë”, ka shkruar Sveçla.