Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, ka treguar se serbët e kanë kërcënuar nëpërmjet rrjeteve sociale, pasi ai dorëzoi rezolutën në Parlamentin e Ukrainës, ku kërkohet që të njihet pavarësia e Kosovës.
Në një intervistë për “Euronews Albania”, Goncharenko tha se ka marrë mbështetje nga shumë njerëz në Kosovë.
“Nga Kosova njoh shumë njerëz që më mbështesin dhe më shkruajnë, pjesa më e madhe nga rrjetet sociale. Ka edhe nga Serbia të cilët kanë reaguar, pjesa më e madhe e tyre kanë nisur kërcënime, por mua kjo nuk më intereson”, theksoi ai.
Goncharenko deklaroi se në lidhje me rezolutën, ka pasur reagime edhe në Ukrainë, teksa shtoi se një pjesë e deputetëve e kanë mbështetur.
“Ka disa reagime brenda shtetit, pjesa më e madhe janë mbështetëse ndaj kësaj rezolute, edhe në media është mbuluar. Sa i përket kolegëve të mi, një pjesë e tyre më kanë kontaktuar për të thënë se më mbështesin. Asnjë deri në këtë moment nuk më ka thënë se nuk e mbështet këtë rezolutë”, nënvizoi deputeti.
Goncharenko në rrjete sociale të shtunën ka njoftuar për dorëzimin e rezolutës me të cilën kërkon nga vendi i tij që ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Kam dorëzuar në Parlamentin e Ukrainës një rezolutë që njeh pavarësinë e Kosovës. Ukraina ndan vlerat perëndimore dhe do të mbështesë demokracinë kudo në botë. Shpresoj se Ukraina do ta njohë pavarësinë e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shkruar ai në Twitter.
Shpresat për një njohje nga Ukraina janë rritur, veçanërisht pas përkrahjes që i ka dhënë Kosova ish-vendit sovjetik në përballje me agresionin rus.
Përveç mbështetjes financiare, Qeveria e Kosovës në mars vendosi të strehojë në Prishtinë rreth 20 gazetarë ukrainas.
Pushtimi rus i Ukrainës ka nisur më 24 shkurt.
Oleksiy Gonchareno 41-vjeçar, pos deputet, është edhe anëtar i delegacionit ukrainas në Asamblenë Parlamentare në Këshillin e Evropës. Po ashtu është zëvendës-president i Komitetit për Migrim, Refugjatë dhe persona të Zhvendosur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Goncharenko në vitin 2019 garoi si kandidat i pavarur dhe u zgjodh deputet.
Ai është i biri i ish-kryetarit të Odessas, Oleksyi Kostusyev.