Arbëri

Për tetë muaj, pesë specializantë të Pulmologjisë ikën në Gjermani

Largimi i mjekëve nga Kosova është një fenomen shqetësues duke marrë parasysh faktin që numër i madh i klinikave kanë mbetur pa staf. Vetëm në viti 2022, janë larguar pesë specializantë për në Gjermani, ka konfirmuar drejtori i Klinikës së Pulmologjisë, Musa Hoxha.

“Vetëm në vitin 2022, pesë specializantë kanë shkuar në Gjermani. Normalisht që kemi nevojë për specialistë pulmolog. Gjatë kësaj kohe shumë më tepër jemi përballur edhe me mungesë të stafit të mesëm infermier sepse ka qenë numër i kufizuar. Gjithmonë kemi pasur mungesë të infermierëve”, tha Hoxha.

Ai më tej ka shtuar se Kosova tashmë është në valën e gjashtë të pandemisë, duke theksuar se kanë nevojë për staf shtesë sepse ka mungesë të infermierëve.

“Në bazë të ecurisë së pandemisë që prej kur ka filluar shihet se nga kjo pandemi kemi një vale të re dhe lirisht mund të them se jemi në valën e gjashtë, por që kjo valë ka rezultuar që efekti i virusit të jetë më i ulët dhe imuniteti i popullatës është ngritur dhe është shumë më i lartë. Sa i përket mjekëve specialist pulmolog i kemi të gjithë këtu”.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve, Besim Kodra tha se është një trend i madh i ikjes së profesionistëve shëndetësorë.

“Është një trend bajagi i madh, por që Qeveria nuk e ka vëmendjen e duhur në shëndetësi. Nuk mjafton vetëm rritja e pagave, mirëpo shëndetësia duhet të jetë prioritet në mënyrë që ata të kenë kushte të punës dhe paga të dinjitetshme dhe të mos kenë nevojë të largohen nga vendi”, tha Kodra. /EO